Një nga armët më të forta të Interit është dhe ka qenë faza mbrojtëse në këtë sezon. Në Serinë A ekipi i Inzagit dhe portieri Zomer vazhdojnë të thyejnë rekorde, ndërsa në 38 ndeshjet e luajtura nuk kishte pësuar kurrë gol në 15 minutat e fundit.
Kur ndeshjet shkonin në minutën e 76-të, tifozët e Interit rrinin të qetë dhe thjesht mund të prisnin fërshëllimën e arbitrit. Megjithatë, tani nuk është më kështu. Në dy ndeshjet e fundit të luajtura, si në Champions dhe në kampionat skuadra ka pësuar në minutat e fundit. Atletiko e Madridit me Memfis Depajin që kaloi në avantazh ekipin për ta çuar sfidën në shtesë dhe me penallti, të cilat në fund rezultuan fatale për zikaltrit. Koke shërbeu mjaft mirë në zonë holandezin që nuk u markua dot ashtu siç duhet nga De Vraj dhe nuk mund të gabonte përballë Zomerit. Një pakujdesi që theu një tabu, që në fakt nuk zgjati shumë. Këtë herë goli i pësuar pak ditë më vonë ishte në “San Siro”. Kur zikaltrit po bëheshin gati për të shijuar rikthimin te fitorja pas dështimit në Champions dhe për të vazhduar rrugëtimin pozitiv në kampionat, Huan Zhezus ndëshkoi sërish prapavijën e Inzagit.
Në minutën e 81, mbrojtësi napolitan u tregua i saktë duke shtyrë topin në rrjetë. Interi duhet të ringrihet ndaj Empolit, të rigjejë forcat dhe soliditetin në mbrojtje që ka qenë një armë e fortë për të fituar shumë ndeshje. Lojtarët do të vijnë nga sfidat me kombëtaret e tyre, ndërsa disa të tjerë kanë punuar në “Apiano” duke analizuar edhe këtë detaj të rëndësishëm. Dilemat më të mëdha janë për portierin Zomer, i cili do të shtrëngojë dhëmbët për të qenë në fushën e lojës për sfidën e së hënës, pasi u rikthye nga grumbullimi me Zvicrën i dëmtuar në kavilje. Edhe ai ka dhënë kontributin e tij duke mbajtur portën të paprekur në 15 minutat e fundit të ndeshjeve.
PANORAMASPORT.AL