NGA FABIO KAPELO
Ishte një sulm ndaj të gjithëve dje, ai i Tiago Motës. Juvja i lejoi Empolit të shkonte në portën aq sa donte dhe personalisht më duket pak a shumë e njëjtë gjë që prej kohësh po ndodh me Milanin. Në një çerekfinale të Kupës së Italisë, të vjen keq të shohësh një ekip pretendent pa guxim, vendosmëri apo cilësi nga lojtarët të cilëve u ishte besuar fanella e titullarit. Për mendimin tim, gjëja më e rëndësishme është se Juventusi ka përjashtuar lojtarë të rëndësishëm si Kieza, i cili bënte lëvizje që mund të ndryshonin ndeshjen. Për mendimin tim mungon edhe dikush me përvojën e Danilos. Bardhezinjtë, më lëvizjet që bënë në verë ndryshuan programin e tyre për të arritur në titullin në tre vjet. Nga ana tjetër u punësuar një trajner si Tiago Mota i cili duhej të ndryshonte lojën, por nuk mori rezultatet që shpresonte ai vetë dhe ata që i besuan. Kur përballen me një kundërshtar që luan me shpejtësi dhe vendosmëri, bardhezinjtë vuajnë. Madje edhe më shumë se sa duhet. Siç thashë, në verë shpenzuan shumë, blenë shumë lojtarë të mirë, por jo të duhurit, sepse nuk blenë askënd që mund të bënte diferencën në fushë. Vlahoviç e gjeti veten duke luajtur si titullar pas shumë kohësh dhe për më tepër në çift me Kolo Muanin. Ishte e vështirë për të, madje tensionin që ka u pa edhe pas një rasti ku e zgjati topin në vrapim e sipër. Unë mendoj se ai nuk është i qetë dhe kur ju nuk jeni në qetësi është më e lehtë të bëni gabime. Kur humbet një penallti të tillë si ajo ndaj Empolit, është e qartë se lojtari nuk ka qetësi. Këto probleme duhen zgjidhur sa më shpejt nëse Juvja pretendon vërtetë vendin e katërt në kampionat.
PANORAMASPORT.AL