Kombëtarja e “Pancerave” mori fitore të rëndësishme në transfertën e Italisë. Pas këtij suksesi, mediat gjermane kanë zbërthyer lojën e miqve në “San Siro” në 7 pika:
1.NISJA E DOBËT – Gjermania e nisi ndeshjen me posedim topi, por jo rrezikshmëri në portën e italianëve. Përkundrazi, të zotët e shtëpisë ishin me kërcënues, madje duke shënuar në minutën e 9-të me Sandro Tonalin. Ata patën raste të tjera për të dyfishuar shifrat, por portieri Bauman ishte në formë të shkëlqyer, duke i thënë jo “golit” të “nokautit”.
2. MUNGESA E KREATIVITETIT – Mesfusha me Paskal Gros dhe Leon Gorecka nuk dha një partnerit të frytshëm në mesfushën e Gjermanisë. Ata nuk ishin në gjendje të organizonin sulme të shpejta apo krijimin e korridoreve të ngushta për fazën ofensive. Të dy golat erdhën nga krosimet e Joshua Kimish, tregues se “regjisorët” nuk ishin në version më të mirë, ndonëse Gorecka në fazën goditëse ishte ndjeshëm më i pranishëm dhe efektivë.
3. LËVIZJET E NAGELSMAN – Në 45 minutat e para u pa një kombëtare e “brishtë”, thuajse në të gjitha repartet. Duket se pushimi u bëri mirë “Pancerave”, në riorganizimin e ideve dhe ndryshimin e lojtarëve. Sapo nisi fraksioni i dytë i lojës, Nagelsman kreu dy zëvendësime emergjente, konkretisht inkuadrimin në lojë të sulmuesit Kalindienst dhe mbrojtësit të majtë, Shloterbek. Specifikisht, pas disa minutash në fushën e blertë, Kalindienst gjeti rrugën e rrjetës, duke i kthyer besimin trajnerit. Shloterbek, po ashtu, u dha më shumë fuqi manovrave të gjermanëve nga prapavija. Lëvizje të zgjuara.
4. HEROI KIMISH – Joshua Kimish në periudhën e fundit është kritikuar në masë nga analistët gjermane dhe më gjerë. Por takimi me Italinë i dha “shuplake” çdo mendimi negativ. Nga këmbët e Joshuas u “gatuan” të dy golat. Një Kimish i rikthyer në version më të mirë, fiks në momentin që Gjermania kishte më shumë nevojë për të. Shiriti i kapitenit ia ka rritur besimin 30-vjeçarit, i cili po jep produktivitetin e tij. Kimish ishte në gjendje jo vetëm të shërbente te shokët e skuadrës në golat e shënuar, por edhe në shpërndarjen e lojës si një lider i vërtetë.
5. RIKTHEHET GORECKA – Mund të thuhet me gojën plot se Leon Gorecka është një nga lojtarët më të nënvlerësuar si te Bajern Mynih, ashtu edhe te përfaqësuesja. Në duelin me “Axurrët”, Gorecka tregoi karakterin e vërtetë gjerman. Këmbëngulës, agresivë dhe finalizues. Edhe pas ndeshjes trajneri Nagelsman i dha “hakun” Leonit, duke e cilësuar atë si futbollistin e ndeshjes për atë çka dhuroi në fushë.
6. KLAINDIENST, PYKË E RE – Mund të tingëllojë e çuditshme, por kombëtarja e Gjermanisë në vitet e fundit ka vuajtur për një pykë të mirëfilltë. Kjo gjë u dëshmua në Botërorin e vitit 2022. Niklas Fylkrug ka dhënë disi shpresë në dy vitet e fundit, por jo në pretendimet e “Pancerave”. Në kushtet kur mungoi edhe Kai Haverc, Nagelsman i mbeti alternativa e vetme Burkard Mainc dhe Klaindienst. Pikërisht ky i fundit shënoi golin e barazimit, dhe i hapi udhë fitores. Shtatlarti i Borusia Mynshengladbah ka disa ndeshje në përfaqësuese që po bind dhe hedh idenë së mund të mbajë mbi shpinë peshën e golave.
7. BAUMAN, “I HEKURT” – Oliver Buaman prezantoi paraqitje të nivelit botëror kundër Italisë në Milano. Në 6 goditje totale të “Axurrëve” në adresim të portierit 34-vjeçar, vetëm në një rast e humbi “busullën” dhe pësoi golin; në 5 shanset e tjerë rezultoi “muri” i pakalueshëm. Edhe pse mund të quhet “veteran”, përvoja e Bauman ndikoi pa diskutim në fatet e ndeshjes. Moise Ken i pati të gjitha hapësirat për të dërguar rezultatin në 2-0, por gardiani i Hofenhaim realizoi pritje heroike. Ai mund të cilësohet një rezervë e denjë kur mungon Ter Shtegen.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL