Gjithçka ose asgjë. E ardhmja e Interit është e varur në një fije peri të lidhur fortë mes këtyre dy mundësive ekstreme. Mund të ndodhë që Napoli të fitojë titullin kampion.Shumë lojtarë në këtë organikë e kanë bërë jo më larg se dy vite më parë. Disa energji fizike dhe psikologjike mund të ezaurohen në Champions. Këtë e tregoi edhe ndeshja kundër Parmës. Organika e Inzagit është cilësore, por Asllani nuk do të jetë kurrë Çalhanoglu. Konte, që në fakt është duke vrapuar për një objektiv të vetëm ka dështuar në barazimin me Bolonjën, por tani do të nisë që të vrapojë duke shpresuar që Simone të lërë pikë rrugës.
Mund të ndodhë gjithashtu që edhe Milani ta eliminojë nga Kupa e Italisë në gjysmëfinalen e kthimit pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë. Skuadra e Konseisaos i ka hapur jo pak punë ekipit zikaltër në këtë sezon. Por Interi mund të mbetet edhe pa trofe, sepse është shumë e mundur që Bajerni ta eliminojë në sfidën e kthimit në “San Siro”. Dhe nëse e kalon Bajernin, ndoshta ndodh që të eliminohet në raundin e ardhshëm ndaj rivalëve më të fortë. Kjo është “asgjëja” në këtë sezon.
TRIPLETA- Por është edhe ana tjetër e medaljes: Gjithçka. Është e vërtetë që Napoli është duke pedaluar në dishezë dhe me më pak vështirësi, por ka vuajtur shumë me Bolonjën, ashtu si me Komon dhe në sfida të tjera. Ka treguar që ka një pankinë pa alternativa me kualitet. Dy golat e shënuar në “Allianz Arena” nga Interi, i ka vuajtur edhe vetë Antonio Konte. Sepse ai tani e di që duhet të luftojë kundër Interit që pa në Gjermani dhe jo kundër Interit të Tardinit. Paraqitja e jashtëzakonshme e zikaltërve mund t’u zbehë dëshirën napolitanëve dhe mund t’u japë një goditje psikologjike.
Milani që ka pushuar më shumë do të luajë sfidën e kthimit në Kupën e Italisë me forcën e dëshpërimit, por edhe me pasiguritë e këtij sezoni. Interi do të ketë shtysën e tifozëve të tij dhe do të tentojë të fitojë të paktën një nga 5 derbit sezonalë. Sa i përket Champions-it, Bajerni i ka armët e forta për të ndryshuar fatet e kësaj sfide, por nëse Interi e ka mundur një herë mund ta bëjë sërish. Barcelona është rivali i mundshëm në rast kualifikimi për Interin. Edhe ata kanë më shumë individualitete, por dinë vetëm një mënyrë loje. Sulmojnë shumë dhe gjithmonë. Mes skuadrave që kanë mbetur në Champions, nuk ka një ekip që di të menaxhojë aspektin taktik si zikaltrit. Interi tregoi një qasje në lojë që pak e kanë treguar. Është një skuadër që di të vuajë dhe të godasë rivalin atëherë kur nuk e pret. Eksperiencë që vjen nga mosha mesatare e lartë, por edhe nga vendosmëria dhe besimi i fituar në finalen e Stambollit. Bastoni dhe Barela janë lojtarë me petk europian. Karlos Augusto dhe Fratezi kanë treguar se janë titullarë të shtuar në këtë skuadër.
PRECEDENTI– Në vitin 2010, Tripleta e famshme zikaltër erdhi në 17 ditë, 5 maj Kupa e Italisë, 16 maj titulli kampion dhe 22 maj Champions-i. Një fluturim në pak ditë. Milito shënoi në secilën prej këtyre ndeshjeve. Bashkëkombësi i tij, Lautaro Martinez, ishte i jashtëzakonshëm në Mynih dhe është gati që të vazhdojë ecurinë e tij. Kjo është gjithçka. Pastaj mes asgjëje dhe gjithçkaje është hipoteza për të fituar diçka. Të shohim, por gjithçka është e sigurt. Në një sezon me 3 trofe ende në garë dhe në mes të prillit do të thotë se gjithçka është pozitive, sido që të përfundojë. Një fitues dihet: Simone Inzagi.
PANORAMASPORT.AL