“Gjëja më e mirë në ndeshjen kundër Empolit? Fitorja”. Tiago Mota u përgjigj me një buzëqeshje pas fitores me poker ndaj toskanëve, por batuta e tij është e saktë deri në një pikë, pasi tregon vetëm gjysmë të vërteta.Kjo deklaratë fsheh deri diku vështirësitë që Juventusi hasi gjatë pjesës së parë, ku “Zonja” kaloi në disavantazh dhe krijoi idenë se do të ishte e njëjta panoramë që është parë edhe në ndeshjet e mëparshme, aty ku u mposht nga Napoli në kampionat dhe Benfika në Champions. Megjithatë, vështirësia kaloj shpejt.
SULMI-Përmbysja në pjesën e dytë, siç ndodh shpesh në futboll, bën që të anashkalohen të gjitha problemet në nivelin ofensiv dhe difensiv, çështjet ku Mota duhet të punojë më shumë. Është e vërtetë që Kolo Muani po përshtatet në mënyrë perfekte me Juventusin (3 gola në 2 ndeshjet e tij të para), si dhe Vlahoviç e Konseisao që u rikthyen te goli, por personi thelbësor i sulmit bardhezi quhet Kenan Jildiz. Ai është i vetmi që arrin të ndezë shpresat e stadiumit edhe në pjesën e parë, ndërsa shokët e skuadrës i kanë sytë nga ai kur presin diçka të re, një driblim, një pasim kyç ose një superioritet numerik. Është ai që në të vërtetë udhëheq sulmin e “Zonjës së Vjetër”.
INTENSITETI- Mungesa e intensitetit dhe agresivitetit që u tregua në 45 minutat e para kundër Empolit thyhej vetëm nga lëvizjet individuale të ndonjë prej lojtarëve (kryesisht Jildiz). Kjo gjë ndodh veçanërisht edhe në momentin e golit të 2-1, ku fillimisht lëviz mirë Jildiz e më pas Ueah godet ku Kolo Muani bën devijimin që çon topin në portë.
PROBLEMET- Megjithatë, mes “kimisë” së re që Mota provon të krijojë me formacionin e ri, më pak nga të gjithë ka bindur Teun Kopmeiners. Blerja më e bujshme e verës ende nuk po tregon se e meriton fanellën bardhezi. Ai luan krah Lokatelit, por është ky i fundit që ia vjedh skenën. Nuk është i shkathët me lëvizjet e tij dhe nuk jep dot pasimet që jemi mësuar t’i shohim në kohën e Atalantës. Ai ka vështirësi si kundër kundërshtarëve të mëdhenj në emër, edhe ndaj atyre që janë më të vegjël në letër. Një problem që ende nuk është zgjidhur. Sa u përket afrimeve të janarit, përveç Kolo Muanisë që flasin vetë shifrat në favor, bind edhe Veiga, i cili luan një ndeshje korrekte.
PANORAMASPORT.AL