Ja ku jemi. Faza e nxehtë dhe vendimtare e sezonit ka ardhur. Ndoshta një muaj më përpara në krahasim me të kaluarën edhe për fajin e Champions-it që ka ndryshuar dhe kalendarit të Serisë A të pasur me ndeshje të mëdha.
Dhe Interi është i gjallë në këtë moment. E ka treguar kundër Empolit duke iu përgjigjur suksesit të Napolit, por mbi të gjitha duke harruar sa më shpejt si humbjen e Superkupës ashtu edhe barazimin 2-2 kundër Bolonjës. Si? Me njerëzit kyç dhe me linjat e dyta, që në këtë ndeshje të fundit kanë treguar karakterin e tyre edhe në një stadium që të fut të dridhurat si “San Siro”. Teksa “motrat” e Serisë A janë duke u dorëzuar dhe petalet e tyre po bien si lule margaritar (Atalanta, Lacio, Fiorentina, Juventus dhe Milani), Interi ka ditur që të rezistojë në stuhi duke rikuperuar edhe energjitë në momentet më të vështira.
E ka bërë Lautaro Martinez, i cili është rikthyer lider i skuadrës dhe udhëheqës me gola dhe me performanca. E ka bërë gjithashtu edhe Kristjan Asllani, i cili pavarësisht se luan pak dhe kritikohet shumë, ka ditur që t’i rezistojë impaktit të “San Siros” pas një mbrëmjeje jo të lehtë dhe për t’u harruar ndaj Bolonjës. Ai gjithashtu mori komplimentet e stafit dhe të shokëve të skuadrës. Pjesa tjetër mendoi për organizimin e lojës duke pasur besim në cilësitë e tyre dhe mentalitetin fitues. U rikthye Mkitarian, i cili ka marrë minuta të çmuara në këmbët e tij. Kanë pushuar Turam dhe Bastoni. Kjo është shumë e rëndësishme nisur nga fakti që do të luhet një ndeshje vendimtare në Champions kundër Spartës së Pragës. Dhe përtej Bastonit dhe linjave të dyta një vlerësim duhet bërë edhe për Karlos Auguson, që ashtu si Darmian ka dhënë kontributin e tij.
TAREMI- Dhe nëse duhet gjetur një aspekt më pak pozitiv në sfidën e fituar kundër Empolit është Mehdi Taremi. Sulmuesi iranian zhgënjeu sërish duke shpërdoruar një tjetër mundësi nga minuta e parë. Por një impakt befasues patën Turam dhe Arnautoviç, të cilët u thirrën në apel në pjesën e dytë të ndeshjes. Në metrat e fundit të maratonës sezonale, ku zikaltrit po luftojnë në tre fronte dhe me një rival si Napoli që është i përqendruar vetëm në titullin kampion, të pasurit të gjithë grupin në dispozicion është shumë e rëndësishme për Simone Inzagin. Madje edhe Taremin, prej të cilit pritet që të bëjë një hap cilësor, sidomos pas golit të shënuar në finalen e Superkupës. Ende nuk ka ardhur.
PANORAMASPORT.AL