Edhe dy javë të tjera dhe më në fund Bundesliga do të rindezë motorët. Rekordmeni i ndeshjeve me kombëtaren gjermane, Lotar Mateus, gjithashtu po pret me padurim sezonin e ri, siç zbulon 62- vjeçari në një intervistë për “SPORT BILD”. Për të, Bajerni i Mynihut është favorit i qartë për titull, edhe pse Mateus pret edhe lajme negative nga “Allianz Arena”.
“Bajerni gjithmonë do të përbëjë tituj, ndonjëherë edhe negativë. Ose ka deklarata të Uli Hënesit që do të shkaktojnë zhurmë. Asnjëherë ky klub nuk është plotësisht i qetë. Por po supozoj se do të shkruhen sërish më shumë tituj pozitivë”. Vitin e kaluar, rekordmenët e Gjermanisë prodhuan më shumë tituj negativë gjë që nuk kishte ndodhur prej një kohe të gjatë: aksidenti i Nojerit duke bërë ski gjatë pushimeve në dhjetor, udhëtimi i Gnabrisë te “Gucci” në Paris, përjashtimi i shokut të Nojerit, Tapaloviç, çështja e spiunit në dhomën e zhveshjes, shkarkimi i Nagelsmanit, grushti i Manesë ndaj Sanesë, sherri midis Kahnit dhe Mateusit, eliminimi zhgënjyes nga Kupa e Gjermanisë dhe Liga e Kampioneve, finalja dramatike e sezonit dhe shkarkimi i Salihamixhiçit dhe Kahnit në fund të sezonit.
Tashmë sezoni i ri është në fokus dhe pasardhësi i Nagelsmanit është Tomas Tuhel. Ky do të jetë sezoni i tij i parë i plotë si trajner i Bajernit. Pas rreth dy muajsh që nga marrja e detyrës në mars, ai tani po fillon një sezon si trajner i kampionëve për herë të parë. Mateus është befasuar nga trajneri, por në të njëjtën kohë ka disa këshilla për të: “Ai duhet të qëndrojë i vërtetë dhe i besueshëm. Unë personalisht nuk e njoh mirë, e kisha imagjinuar që ta ngrinte më shumë zërin dhe të ishte më kritik. Ndonjëherë ai ishte shumë i butë me lojtarët e tij në fund të sezonit të kaluar. Ai tani ka një pozicion tjetër në klub dhe është gjithashtu plotësisht i integruar në planifikimin e skuadrës”. Mateus pret një dominim të ngjashëm nga Tuhel dhe skuadra, si në vitet përpara sezonit të kaluar.
PANORAMASPORT.AL