Siç thotë i famshmi “Ligji i Mërfit”, “nëse diçka mund të shkojë keq, do të shkojë”. Dhe kjo është ajo që i ndodhi Milanit në Torino. Por nuk ishte një risi, ndaj i gjithë sezoni kuqezi mund të përshkruhet me disa faktorë që skuadra i ka pasur kundër.VITI I MENJASË – Në një sezon si ky i Milanit, edhe një garanci si Majk Menja nuk është më i njëjti. Pritje fantastike, por edhe gafa që i kanë kushtuar shumë ekipit. Në Torino ishte vetëm e fundit, teksa edhe në ndeshjen e parë të Champions-it ishte ai që vendosi të gjithë kualifikimin në malore. Në kampionat ka gabuar ndaj Juves, Komos, Kaljarit sa për të përmendur disa raste që dëshmojnë se “Majku Magjik” ka humbur magjinë.
DESHTIMI I 4 FANTASTIKËVE – Milani me katër sulmues ka funksionuar siç duhej vetëm në derbin e parë me Interin kur në stol ishte Fonseka. Më pas nën drejtimin e Konseisaos, katër sulmuesit kanë sjellë reagime, por asnjëherë garanci se mund të jenë shpëtimi i “Djallit”. Gimenez apo Abraham, ose të dy bashkë të shoqëruar me shumë anësor ofensive nuk i kanë sjellë shumë kënaqësi kuqezinjve, ndaj eksperimenti mund të konsiderohet i arkivuar prej dështimeve të shumta, ndër të cilët i fundit dhe që i vuri kapakun, ishte në Torino.
KONSEISAO KONFUZ – 4-2- 4, apo 4-2-3-1 i përdorur si 4- 3-3 nuk ka rëndësi. Secila nga këto skema nuk i jep ekuilibër Milanit. Cilit do qofshin interpretuesit. Ndryshimet e shumta taktike e teknike nga ana e Serxho Konseisaos që vërtetë ka një ecuri më të mirë se pararendësi i tij (1.75 pikë për ndeshje), e kanë kthyer atë kuqezi një ekip shumë të varur nga lëvizjet individuale. Milani aktual nuk ka harmoni dhe përveç se mundohet të mbajë lart linjën difensive, nuk arrin të përthithë asnjë nga ato ide që e kanë ngritur ndër vite emrin e Konseisaos. Situata, mes lojtarëve që nuk bëjnë detyrat, gabimeve elementare dhe qasjes mendore, tregon qartë se sa Konfuz është Konseisao.
FAJE TË KLUBIT – Dy trajnerë në më pak se gjashtë muaj, dhjetë lojtarë të blerë e pothuajse aq të larguar. Edhe ky është një tregues që dikush, apo i gjithë bordi drejtues, nuk i ka idetë e qarta. Merkato është bërë sipas mënyrë se Ibrës dhe bashkëpunëtorëve të tij duke mos ndarë me trajnerin (Fonseka dikur dhe Konseisao tani) asnjë plan. Përveç Feliksit, 4 të tjerët (Gimenez, Bondo, Sotil dhe Uoker) janë profile të përzgjedhura nga klubi dhe pavarësisht kontributit që kanë dhënë apo do të japin, ata mbeten dëshmi e punës së dobët në projektim dhe menaxhim.
PANORAMASPORT.AL