Fillimisht Sociedadi, më pas Shahtjori, dy ndeshje njëra më e shëmtuar se tjetra për Barcelonën. Por ndërsa ndaj Sociedadit katalanasit ia dolën të fitonin falë mrekullive të Ter Shtegen dhe golit në fund të Arauhos, në Hamburg përballë Shahtjorit dështuan plotësisht, duke pësuar humbjen e parë në Champions në këtë sezon. Gazeta “Mundo Deportivo” i ka bërë një analizë humbjes së Barçës, duke vënë në dukje se ky dështim ka nxjerrë në pah 5 pika kyçe që duhen përmirësuar.
LOJA E PARASHIKUESHME – Është e pamundur të dëmtohet një kundërshtar nëse loja nuk rrjedh natyrshëm dhe shpejt. Është e vërtetë që gjendja e terrenit të “Volksparkstadion” nuk ndihmoi, por Shahtjori tregoi se është një ekip kreativ dhe dinte ta qarkullonte topin lirshëm. Barcelona e kishte të vështirë të orientohej dhe loja e saj ishte shumë e thjeshtë për t’u lexuar.
METRAT E FUNDIT – Barcelona ka humbur nervat në zonën fundore, aty ku vendosen ndeshjet. Edhe Lamine Jamal, i cili duhet të jetë shembulli i vetëbesimit, duket i ngurtë dhe mezi përballet, siç ndodh me Balden në të majtë. Pa guxuar, rivali nuk mposhtet dhe ndeshja bëhet një varg sulmuesish të parrezikshëm në zonë, karamele për qendërmbrojtësit e fuqishëm të Shahtjorit.
PRESING I PAKOORDINUAR – Nuk ka asgjë më të keqe për një ekip futbolli sesa të lodhet në një sakrificë fizike që nuk jep fryte. Barça vërtet kishte një qasje pozitive në Hamburg, por ajo pagoi për mungesën e koordinimit. Presingu i lartë dhe i çrregullt, me lojtarët që ndiqnin “hijet” e tyre, ndikuan jo pak. Dhe shembulli më i mirë ishte veprimi i golit të Shahtjorit: 27 prekje në 75 sekonda deri në goditjen me kokë të Sikanit.
PA GJUAJTJE NUK KA GOL – Në pjesën e parë zero gjuajtje në portë, në të dytën vetëm një. Një goditje e dobët me kokë nga Gavi ishte e vetmja tentativë mes shtyllave. Mjafton kaq për të kuptuar përse Barcelona nuk fitoi dhe nuk mund të fitonte në Hamburg kundër Shahtjorit.
ASNJË BILANC TAKTIK – Barça që fitoi titullin në La Liga 2022-‘23 ishte e qëndrueshme kur luajti me katër mesfushorë dhe një mbrojtje stabël, krejt ndryshe nga tani që mbrojtja duket anarkike. Mbrojtja që i dha titullin nuk ishte spektakolare, por solide pa qenë e shëmtuar. Mesfusha gjithashtu nuk po jep garanci, sikurse dhe sulmi.
PANORAMASPORT.AL