Reali i Madridit fitoi të dielën në mbrëmje në Riad (Arabia Saudite) për herë të 13-të në historinë e vet Superkupën e Spanjës.
Mbreti i mbrëmjes ishte Vinicius Zhunior, autor i një trigolëshi në vetëm 39 minuta lojë. Levandovski vetëm sa “ndezi disi” zjarrin e Barcelonës, pasi Rodrigo vulosi gjithçka në pjesën e dytë. Një tjetër trofe për Realin dhe një goditje e madhe për Barcelonën në një finale që është analizuar nga ekspertët e “The Coaches Voices” (Zëri i trajnerëve).
ANALIZA E TRAJNERËVE – Pa dyshim, ishte një finale shumë e veçantë për Ançelotin. Ai fitoi trofeun e tij të njëmbëdhjetë në Madrid dhe në të njëjtën kohë u bë trajneri i dytë me më shumë ndeshje në historinë e klubit të bardhë, 264. Një fitues i qartë, i pastër dhe një sjellje prej xhentëlmeni e tij pas ndeshjes. “Vetëm pas golit të katërt gjithçka mori fund”, tha ai. Krejt ndryshe Barcelona dhe Ksavi. Përtej shumë dyshimeve që skuadra mbart prej muajsh, Barcelona doli nga finalja e Superkupës edhe me më shumë pikëpyetje të tjera. “Në mbrojtje nuk i ndalëm tranzicionet me faulle taktike. Ata na kalonin me çdo top”, tha Ksavi, që tregon shumë.
I NJËJTI SISTEM, PLANE TË NDRYSHME – Ançeloti e planifikoi lojën me një qasje sulmuese, duke kërkuar të gjenerojë epërsi numerike dhe pozicionale në mesfushë, duke filluar nga një 4-4-2 me një katror të brendshëm me topin (poshtë). Tçuameni, Kros, Valverde dhe Bellingam u pozicionuan në linja të ndryshme, duke përfituar nga inferioriteti numerik i Barcelonës në fazën e mbrojtjes, në qendër të fushës. Në vijën e sulmit, Vinicius dhe Rodrigo u “distancuan” nga njëri-tjetri, duke zgjeruar fushën për Barcelonën dhe vendosur në vështirësi krahët e katalanasve. Ksavi, nga ana e tij e organizoi ekipin në fazën mbrojtëse me një 4-2- 3-1, që kthehej në një 4-4-2 me lëvizjet mbështetëse të Serxhi Robertos. Por, pa diskutim, e ngjitur shumë lart nga Ksavi, Barcelonës i mungoi mungesa e ritmit të lojës në fushën kundërshtare dhe kjo i krijoi probleme, pasi Realit iu hapën “austostrada” që “los blancos” i shfrytëzuan me sulmuesit e tyre që shërbenin si lojtarë krah.
SULM DOBËSIVE TË BARÇËS – Në fazën e mbrojtjes dhe në mesfushë, Barcelona nuk mundi të rregullonte në mënyrë adekuate mekanizmat e presingut dhe as menaxhimin e hapësirave. Një dobësi e shfrytëzuar nga sulmuesit e Realit për të shënuar dy golat e parë. Pasimet e brendshme që Tçuameni, Kros, Valverde dhe Bellingam arritën të lidhnin, duke kërkuar të thyenin thellësinë e mbrojtjes së kundërshtarit, bënë të mundur gjetjen e hapësirës ideale mes dyshes së qendrës së Barçës, Kunde-Kristensen, duke e bërë këtë të fundit të dilte jashtë zonës së tyre të mbulimit. Ndërsa mesfushorët u lidhën, Vinícius fitoi qartë duelin me qendërmbrojtësin që po e shikonte, për të përfituar nga hapësira e lirë, krijuar nga linja e fundit mbrojtëse e Barcelonës. Si qendërmbrojtësit ashtu edhe mbrojtësit e krahut të Barçës nuk i lexuan saktë situatat e mbrojtjes së mesfushorëve të tyre, me skuadrën e Ksavit që shfaqej e pambrojtur në distancën midis qendërmbrojtësve të tyre dhe portierit, Injaki Penja. Ançeloti këmbënguli në pjesën e parë me këtë plan për të sulmuar mungesën e kohezionit të linjave të Barcelonës në presingun e tyre. Kështu mbërriti edhe goli i dytë, i cili i shtoi pasivitetin mbrojtës të Barcelonës. Edhe pse Barcelona tentoi të bënte presing lart, mbajtësi i topit të Realit (Kros) dhe lojtarët që e mbështesnin mbetën të pashqetësuar dhe patën kohë dhe hapësirë për të dalë me lehtësi. Për më tepër, linja e fundit mbrojtëse e skuadrës së Ksavit, jo në linjë dhe me lëvizje të çorganizuara, nuk arriti të tërhiqej në kohë për të shmangur tranzicionet e shpejta të udhëhequra nga Rodrigo dhe Vinicius.
SUPERIORITETI – Në fazën mbrojtëse dhe në korsitë e jashtme, Madridi arriti të gjeneronte epërsi numerike. Duke pasur parasysh këtë epërsi të Realit të Madridit, ai ishte një kohë përpara si në të majtë dhe në të djathtë. Kjo nuk i jepte frymëmarrje lojës së Barcelonës, që haste vështirësi në furnizimin e mesfushës e më pas të sulmit, me Levandovskin të izoluar në morsën e mbrojtjes së Realit.
DOBËSIA E BARÇËS PA TOP – Në një nivel të përgjithshëm, ndryshimi i mentalitetit sulm-mbrojtje të Barcelonës ishte i ngadaltë dhe pa kërkuar lëvizje që do të ngacmonin zotëruesin e topit të Realit. Kjo ishte një dobësi që djemtë e Ançelotit e zbuluan dhe e shfrytëzuan për të kërkuar më vonë situatat 2 kundër 1 ndaj Balde, i cili duhej të vendoste midis qëndrimit me Karvahalit ose shmangies për nga Valverde. Ky dyshim bëri që Balde të mbërrinte me vonesë, duke hapur korsinë e tij për progresionin e Realit në fushën rivale me vështirësi minimale. Në fillimin e lojës, djemtë e Ançelotit shfrytëzuan presionin e pakoordinuar që ushtruan nga mbrojtësit e parë të Barcelonës. Në përgjithësi, Madridi e ndërtoi sulmin e tij nga pasimet e brendshme në fillim dhe në zonën e mesfushës. Diçka që mundësoi hapësira në përfundim për Vinícius dhe Rodrigon. Në shumë raste, Levandovski bënte presing i vetëm, pa ndihmën e shokëve të skuadrës. Për këtë arsye, sulmuesi i Barçës mbërrinte me vonesë, duke i dhënë hapësirë Krosit për të ndërtuar manovrën sulmuese të Realit me lirshmëri dhe lehtësi.
PANORAMASPORT.AL