Ndeshja e 50-të sezonale nuk shkoi ashtu siç duhej për Interin. Erdhi humbje me Bolonjën. Por edhe në atë numër 51 ndodhi e njëjta gjë, disfatë 3-0 kundër Milanit. Inzagi e pranoi që gjithçka ndodh prej lodhjes, mbi të gjitha psikologjike.
“Por duhet të jemi më të fortët nga të gjithë”, tha ai. Mbi të gjitha sepse ndeshjet do të shtohen dhe vështirësia gjithashtu. Nga tani deri në fundin e sezonit, zikaltrit do të luajnë të paktën 10 ndeshje: Dy në Champions, 5 në Serinë A dhe 3 në Botërorin e Klubeve.
RËNIE FIZIKE- Është logjike të flasësh për energji, për menaxhim dhe për forcë. Sepse humbja në derbi është fryt i një rënieje fizike graduale. Interi luajti shumë mirë për 30 minuta, duke krijuar 3 raste të pastra për gol, të parën me Darmianin, të dytën me Dimarkon dhe të tretën me Lautaron.
Nga ai moment deri në fund erdhi rënia. Interi lëshoi terren dhe u zgjat në fushë, duke ia lënë atë Milanit për kundërsulme. Dy golat e Joviçit kanë ardhur me krosime nga e djathta dhe nga një goditje këndi, ndërsa Reijnders “dogji” Martinezin pak minuta nga fundi. Një problem që është shfaqur edhe në të shkuarën, kur Interi ka pësuar disa gola si me Udinezen, ashtu edhe me Parmën.
RRUGA- Të dhënat e ndeshjes tregojnë se Interi ka bërë lojën duke mbajtur lart ekipin në fushë, ka kryer 635 pasime kundrejt 564 të Milanit, por ka vertikalizuar më pak. Është normale që të luash 2 herë në javë do të ndodhte kjo gjë, por nuk duhet të jetë alibi. Interi duhet që të jetë bashkë. Spostimi i ndeshjes InterRoma për të dielën nuk ndihmon aspak. Interi do të ketë 15 orë më pak për sfidën me Barcelonën më 30 prill.
Pesë ditë më vonë do të luajnë me Veronën dhe sërish pastaj me katalanasit më 6 maj. Finalja e Kupës së Italisë më datën 14 u hoq nga lista. Dy ndeshjet kundër katalanasve do të thonë shumë për fatin e sezonit. Në rast të humbjes, Interi do të luajë vetëm me Torinon, Lacion dhe Komon, në të kundërt do të duhet të përgatisë edhe finalen e Champions-it më 31 maj. Prilli ishte i zjarrtë, por maji mund të “djegë” më shumë.
PANORAMASPORT.AL