Ishin të shumtë ata që mendonin se dyshja Vlahoviç-Kieza ishin një çift i papërshtatshëm. Të tjerë i shihnin këta dy lojtarë si mundësi përfitimi milionash në merkato. Disa madje i panë të ndarë në shtëpi. Por në vetëm tre javë kampionat në Itali, Kieza dhe Vlahoviç janë bërë forcat shtytëse të Juventusit që ka shënuar 6 gola në 3 takime (nuk ka ndodhur kurrë në fillim të sezonit që nga rikthimi i Alegrit) dhe po tregon një qasje shumë më sulmuese se vitet e fundit.
Numrat nuk gënjejnë: të dhënat për goditjet në portë, pasimet e suksesshme dhe golat e pritshëm janë rritur në krahasim me sezonin e kaluar. Nga ana tjetër, ne e dimë se misioni që i ishte dhënë Alegrit ishte t’i siguronte Juventusit një lojë më të qartë, më të qëndrueshme dhe më sulmuese. Stafi i Juventusit iu fut punës për këto koncepte dhe, veçanërisht në Udine, u panë lëvizje të koordinuara, diçka e paprecedentë për kulturën e futbollit të Juventusit të kohëve të fundit. Evolucioni taktik pati një ndalesë në Bolonjë ku nuk ishte në nivelin e Friulit.
Madje edhe në fitoren e padiskutueshme në Empoli, që dukej më shumë si rezultat i diferencës së vlerave mes dy skuadrave sesa i një dominimi të lidhur me logjikën e organizimit të lojës. Është ndoshta vetëm çështje kohe para se të shohim sërish Juventusin e pjesës së parë në Udine. Për momentin, sido që të shkojnë punët, do të kujdesen ata të dy në majën e sulmit, Kieza dhe Vlahoviç për Juven. Ata kanë shuar çdo mëdyshje duke treguar se mund të bashkëjetojnë.
.Çështja është se si. Kieza, jo shumë i dobishëm kur vendoset në mesfushë duke pritur pasimin me shpinë nga porta, bëhet i papërmbajtshëm për mbrojtësit kur zgjerohet dhe çliron potencialin e tij veçanërisht në një kundër një. Për të mos përmendur aftësinë për të depërtuar në thellësi kur ekipet rivale ngrenë qendrën e tyre të gravitetit. Vlahoviç është një sulmues zone që mund të bëhet shkatërrues kur mbështetet nga shokët. Alegri e ka kuptuar tashmë.
PANORAMASPORT.AL