Suksesi ka marrë trajtën e “të zakonshmes” në karrierën e Karlo Ançelotit si trajner, pavarësisht se kë “timon” ka drejtuar në spektrin e klubeve të ndryshme.
Skadenca e kontratës me Realin verën e ardhshme dhe dëshira e brazilianëve, duke filluar me presidentin e “Seleçaos”, për të vijuar deri te Rodrigo së fundmi, të cilët “asistojnë” së bashku në “Santiago Bernabeu”, njëri në pankinë, e tjetri në fushën e blertë, duke i rritur dozat e “dashurisë”. Pikërisht lojtari me numër “11” në kapin e madrilenëve ka folur me fjalë mjalti kur biseda në “Band Sport” ka cekur hipotezën e bashkëpunimit me “Don Karlos” në kombëtare.
RODRIGO- “Nuk dua ta mohoj se Ançeloti është plani A për përfaqësuesen tonë. Presidenti dhe populli brazilian e duan dhe besojnë se më të mund të arrijmë suksese të rëndësishme. Akoma më mirë kur unë, Vinicius dhe Militao e njohim. Gjithsesi, shumë detaje kanë nevojë për diskutime të thelluara. Shpresoj se kur t’i përfundojë kontrata me Realin, ndalesa e radhës të jetë Brazili. Prania e një tekniku të huaj në përfaqësues s’është tabu. Elementi thelbësor lidhet me gamën dhe vizionin që ai përfaqëson. Karlo ka fituar gjithçka dhe jam më se i bindur se do të na orientojë në rrugën e duhur”, pohonte me nota optimizmi anësori 22-vjeçar.
SULMET RACISTE- Rodrigo u ndal shkurtimisht edhe në pjesën e sulmeve raciste, të cilat pasuan si “viktimë” shokun e skuadrës Vinicius: “Ditë të vështira jo vetëm për Vinin, por të gjithë grupin. Suporti ndaj Vinit nuk mungoi në atë etapë të zymtë. Gjithsesi, situata me natyre të tillë të bëjnë akoma më të fortë, derisa fraza keqdashëse mbi ngjyrën do të përfundojnë”.
TRAZIRAT MES TIFOZËVE– Santosi shërbeu si “filiz” për të “çelur” Rodrigon, duke bërë që Perez të kthente “projektorët” drejt Brazilit. Së fundmi u evidentuan sulme të dhunshme në derbin me Korintias. “Santos do të jetë gjithmonë në zemrën time, por nuk më takon të flas rreth kampeve të tjera. Për ta gëzoj respekt dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen, kaq mund të them mbi këtë temë”, përfundoi Rodrigo.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL