Brahim Diaz ka nisur së bashku me një pjesë tjetër të shokëve të ekipit periudhën e tij të dytë në Madrid në radhët e Realit.
Mesfushori nga Malaga rikthehet në klubin e bardhë pas një periudhe të suksesshme te Milani, me të cilin arriti të fitonte një “Scudetto” (titulli në Serinë A) dhe arriti deri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve në sezonin që lamë pas. Ish-lojtari i Sitit dha një intervistë për mediat zyrtare të klubit për të analizuar ditët e para të punës së Realit të Madridit në Valdebebas dhe pritshmëritë e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Brahim Diaz e ka bërë të qartë se është kthyer për të qenë një lojtar i rëndësishëm në ekip.
Si ka qenë përshtatja?
Gjithçka është shumë mirë, me të vërtetë. Është gjithmonë mirë të jesh këtu, është gjithmonë mirë ta fillosh me këmbën e mbarë. Personalisht ndihem shumë i lumtur se jam aty ku kam ëndërruar të jem, në Madrid te Reali.
Si kanë shkuar seancat e para stërvitore?
Stërvitjet janë mjaft të vështira dhe kjo më pëlqen, por edhe vapa në Madrid të lodh (qesh). Do të theksoja gjithçka ka shkuar mirë në përgjithësi. Grupi është i jashtëzakonshëm dhe mezi pres të fillojnë ndeshjet që të njihemi më mirë. Po bëjmë një punë të madhe, e cila do të jetë shumë e dobishme për ne që të ngrihemi sa më shpejt.
Për çfarë keni biseduar me Ançelotin?
Më tha të jem vetvetja, të luaja ashtu siç kam luajtur me Milanin, të kënaqesha në fushë shumë dhe të nxjerr në pah versionin tim më të mirë. Do të përpiqem ta ndihmoj ekipin sa më shumë që të mundem dhe të mësoj nga lojtarët e mëdhenj këtu. Me siguri do të mësoj shumë. Jam shumë i lumtur që mund të punoj me të.
Tashmë e keni takuar ‘Metodën Pintus’…
Nuk është hera e parë që punoj me të. Kam punuar edhe në vitin e parë që erdha këtu dhe është e vështirë. Bëhet fjalë për të mos qëndruar vetëm për 60 minuta në një nivel të mirë, por deri në fund të lojës: 25, 100 minuta… Mendoj se kjo flet shumë për punën që po bëhet. Duhet të rrisësh ritmin sa më shpejt, por edhe ta mbarosh shumë mirë sezonin, të mbarosh siç nis. Është parë tashmë te të gjithë lojtarët, të cilët e përfundojnë ashtu siç nisin, me ritme brutale.
Çfarë mendoni për nënshkrimet e reja?
Si njerëz, ju mund të shihni se ata janë të jashtëzakonshëm, se duan vërtet të mësojnë, duan vërtet të përmirësohen dhe kjo është shumë e mirë. Nënshkrimet e reja do të kontribuojnë shumë dhe ne do të përmirësohemi shumë me lojtarët këtu, sepse ata të bëjnë të mësosh, të bëjnë të përmirësohesh. Ata janë lojtarë shumë të mirë, për atë që kanë bërë dhe për atë që duhet të bëjnë gjithashtu.
Si është atmosfera në dhomat e zhveshjes?
Unë shoh një grup shumë të bashkuar, një grup që është i uritur, që dëshiron të vazhdojë të fitojë, dhe ky është Madridi.
PANORAMASPORT.AL