Trajneri i Reali të Madridit, Karlo Ançeloti nuk e ka përjashtuar mundësinë që “los blancos” të ndryshojnë “stilin” dhe “sistemin” në sezonin të ri për t’u përshtatur më së miri me karakteristikat e skuadrës së tij.
Pa Karim Benzemanë në përbërje dhe me një skuadër të saturuar me mesfushorë, italiani ka lënë të kuptohet se përgatitjet e verës do të jenë vendimtare në kërkim të stilit të ri dhe automatizimit të lojës së Realit.
“Ndoshta këtë vit do të luajmë me një sistem tjetër, duke marrë parasysh atë që kemi bërë, sistemet që kemi përdorur vitet e fundit dhe që na kanë dhënë sukses të madh e që nuk duhet t’i harrojmë”, ka reflektuar ai në një konferencë shtypi në prag të nisjes së turneut të Madridit në Shtetet e Bashkuara.
“Ne duhet të përpiqemi të gjejmë një stil të ri. Ne do ta provojmë veçanërisht në turneun (SHBA), i cili është një moment i rëndësishëm në përgatitjet e verës”, shtoi ai.
Italiani shpjegoi se me kalimin e viteve ka mësuar se “përshtatja me lojtarët” është më mirë për një trajner, sesa të përpiqet të imponojë një sistem me forcë.
“Ideja është që Kamavinga të luajë si mesfushor. Nëse e kemi mbrojtësin e krahut të zënë ose me Fran Garsian ose me Mendi-në, Kamavinga nuk do të luajë si mbrojtës krahu. Lojtarët duhet të ndihen rehat në sistemin që luajnë” shtoi trajneri i Madridit.
Madridi do të kthehet në Shtetet e Bashkuara këtë verë për të luajtur katër miqësore, me skuadrën që do të udhëtojë në mesjavë drejt Amerikës. Pika kryesore e këtij turi do të jetë Klasikja kundër Barcelonës në të cilën skuadra e Real Madridit do të kërkojë hakmarrje për humbjen e verën së kaluar në Las Vegas (1-0).
“Klasikja është një Klasike kudo që shkon për ta luajtur. Nuk ka asnjëherë ndeshje miqësore mes Madridit dhe Barcelonës. Të gjithë e dinë se ato janë ndeshje spektakolare. Kanë qenë gjithmonë, sepse ka një rivalitet shumë të madh”, argumentoi Ançeloti.
Lidhur me Bellingam, nënshkrimin e yllit të Madridit për këtë sezon të ri, Ançeloti tha se ai po “përshtatet mirë” dhe se po “punon shumë”.
“Ai kishte një problem të vogël gjatë pushimeve, erdhi me një problem të vogël në gju. Por tani ai është mirë dhe do të luajë në këtë turne”, konfirmoi Ançeloti.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL