Pas një periudhe të vështirë me Dorival Júnior, Fernando Diniz dhe Ramon Menezes, Brazili ka gjetur stabilitet nën drejtimin e Carlo Ancelotti-t, trajnerit të parë të huaj në historinë e “Seleçao”-s. Rezultatet flasin vetë: tri ndeshje, asnjë gol i pësuar. Fillimisht barazimi 0-0 me Ekuadorin, më pas fitorja 1-0 ndaj Paraguajit dhe triumfi bindës 3-0 kundër Kilit.
“Mos harroni, unë jam italian,” u shpreh me humor Ancelotti, duke theksuar rëndësinë e disiplinës taktike. “Duhet të vazhdojmë kështu. Më pëlqen që skuadra është kompakte dhe nuk lëshon hapësira. Në futbollin modern, edhe sulmuesit duhet të punojnë fort në mbrojtje. Kur ata sakrifikojnë, ekipi bëhet i fortë.”
Futbollistët e Brazilit ndajnë të njëjtin entuziazëm. Gabriel Martinelli tha se trajneri i kërkon “fokus të plotë dhe maksimumin që nga minuta e parë”, ndërsa Casemiro theksoi atmosferën e re pozitive: “Me Ancelottin kemi fituar energji të re, ai ka sjellë qetësi dhe besim si në fushë, ashtu edhe në dhomën e zhveshjes”.
Në fund, edhe mbrojtësi Gabriel Magalhães vuri theksin tek filozofia e re: “Më e rëndësishmja është të mos pësosh gola. Ancelotti është një mjeshtër në këtë aspekt.”
Brazilit duket se i ka kthyer buzëqeshja, ndërsa “muri” i ngritur nga Ancelotti premton siguri për sfidat e ardhshme.