Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, foli dje në një konferencë për shtyp dhe analizoi momentin e tij dhe të skuadrës, pas humbjeve ndaj Barcelonës dhe Milanit: “Është e pamundur të marrësh vetëm vendime të mira në 30 vjet.
Për shembull, kam kaluar keq këtu në Madrid, pas vitit të parë, më 2014/15. Isha shumë pranë rinovimit të kontratës, klubi donte të më mbante, por unë ushtrova shumë presion mbi pagën time dhe më larguan (u shkarkua në fund të sezonit). Ishte një gabim, më i keqi që mund të kisha bërë. Por më bëri të mësoja”.
E konsideroni veten trajneri më i mirë i 30 viteve të fundit?
“Jo, nuk mendoj kështu. Kam fituar shumë, por ka edhe trajnerë të tjerë që kanë fituar edhe më shumë se unë. Ferguson, Guardiola apo Lobanovski. Dhe edhe sikur të mendoja se jam trajneri më i mirë i 30 viteve të fundit, çfarë do të ndodhte? A do të më bënin një statujë? Nuk mendoj kështu (qesh)”.
Trajneri italian nuk është i shqetësuar, teksa në prag të ndeshjes kundër Osasuna deklaroi: “Jemi stërvitur mirë, po kalojmë një moment të vështirë… të gjithë së bashku. Dhe të gjithë, duhet të mendojmë se nëse do të tregohemi inteligjentë, mund të dalim shpejt prej saj, duke vendosur më shumë përqendrim dhe qëndrimi ynë do të jetë më mirë në të ardhmen. Jam i bindur se, Vinicius, Rodrygo, Bellingham… të gjithë do t’ia dalim edhe pse ne jemi në një situatë të pa mësuar me të”.