Për herë të katërt radhazi, Carlo Ancelotti vendosi të mos e thërrasë Neymar në kombëtaren braziliane, duke e bërë lojtarin 34-vjeçar gjithnjë e më të largët nga Botërori 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ky vendim ka shkaktuar reagime të mëdha në Brazil, nisur nga ndikimi futbollistik i ish-lojtarit të Barcelonës dhe PSG.
Në një intervistë për “Placar”, Ancelotti u pyet nëse kjo është pyetja më e shpeshtë që merr si trajner i Brazilit: “Po, po (qesh). Është normale, sepse po flasim për një legjendë të futbollit brazilian. Të gjithë duan që Neymar të rikuperojë formën më të mirë, përfshirë edhe federatën dhe stafin teknik të kombëtares. Futbolli modern kërkon shumë; talent, gjendje fizike, intensitet. Shpresoj që Neymar të jetë në nivelin e tij më të mirë”.
Ancelotti sugjeron një ndryshim pozicioni për brazilianin: “Mendoj se duhet të luajë më shumë në qendër, jo si krah, sepse lojtarët e krahut sot duhet të ndihmojnë edhe në mbrojtje. Në qendër, puna mbrojtëse është më e lehtë dhe një lojtar me shumë talent pranë portës ka më shumë mundësi të shënojë. ‘9 fals’ mund të jetë pozicioni ideal për të”.


