Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka analizuar tri miqësoret që kombëtarja Seleçao zhvilloi gjatë tri javëve të fundit, duke arritur dy fitore dhe një barazim. Fitorja më e fundit ajo ndaj Indisë, ku Brazili fitoi 4-0. Strategu italian vlerësoi se goli i parë ndryshoi rrjedhën e takimit.
“Ndaj Indisë patëm vështirësi për të zhbllokuar rezultatin, por në momentin që shënuam me anë të Estevao, patëm më shumë mundësi për ta kontrolluar lojën më mirë,” tha ai.
Ancelotti u shpreh i kënaqur që Brazili nuk pësoi gol, por pranoi se kishte ende punë për të bërë në mbrojtje, veçanërisht me një linjë mbrojtëse të re që luante së bashku për herë të parë.
“U mbrojtëm mirë. Mund të ishim mbrojtur edhe më mirë. Ishte një mbrojtje e re që nuk kishte luajtur kurrë së bashku, ndaj është e kuptueshme që jo gjithçka ishte perfekte“, tha trajneri italian.
Ndeshja ishte pjesë e fazës së rindërtimit të Brazilit pas eliminimit të shpejtë në Kupën e Botës. Pas barazimit 1-1 me Australinë dhe fitores 4-2 në ndeshjen e kthimit, Ancelotti e shfrytëzoi dritaren për t’i vëzhguar më nga afër lojtarët e rinj.
“Ishte një provë. Tani është momenti që t’u japim mundësi lojtarëve të rinj të jenë pjesë e skuadrës dhe të shohim nëse ata kanë cilësinë për të qenë pjesë e kombëtares në të ardhmen“, u shpreh Ancelotti.