Carlo Ancelotti, trajneri italian i Real Madridit, ka mbrojtur anglezin Jude Bellingham, duke pranuar se “niveli i golave të tij ka rënë, por jo performanca”, i bindur se së shpejti do të jetë sërish kyç me “rrjetat” e tij.
“Ajo që Bellingham ka humbur janë golat e shënuar, të cilët ishin surprizë për të gjithë. E pabesueshme, Jude shënoi 20 gola në pjesën e parë të sezonit, – analizoi Ancelotti në një konferencë për shtyp. – Tani bën punën e tij si i brendshëm apo mesfushor, niveli i golave ka rënë, por jo performanca e tij. U kthye i lodhur nga angazhimi me kombëtaren e tij, por nuk i mungon asgjë tjetër veçse të shënojë gola. Herët a vonë do të kthehet te golat”.
Së bashku me Bellingham, Ancelotti rekomandoi që njerëzit të mos ishin shumë kritik ndaj lojtarëve si Erling Haaland apo Kylian Mbappé për shkak të paraqitjes së dobët që bënë në ndeshjet e para çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“Duhet të jini pak më të qetë. E vërteta është se këto yje të mëdhenj, në ndeshjet e para çerekfinale nuk e arritën nivelin e tyre maksimal, por ka sfida të tjera. Kujdes me këtë, me Haaland, Mbappe dhe Bellingham”, – paralajmëroi ai.
Trajneri madrilen është i fokusuar vetëm te ndeshja në Mallorca, i bindur se do të jetë kyçe për fitimin e titullit të La Liga-s. Ai nuk ka treguar nëse do të bëjë rotacione, duke menduar edhe për kthimin ndaj Manchester City në Champions League:
“Pres një ndeshje të vështirë, konkurruese, të luftuar. Ne do të luajmë kundër një ekipi që ka përkushtim dhe qëndrim të jashtëzakonshëm kolektiv. Presim një ndeshje intensive, në të cilën duhet ta përballojmë angazhimin që rivali e bën shumë mirë”.
“Carletto” nuk sheh rënie fizike në skuadrën e tij për shkak të imazhit të lënë në pjesën e dytë ndaj Manchester City: “Të dhënat fizike pas ndeshjes janë të mira. Bëmë shumë sprinte, në nivel fizik ishim mirë. Në pjesën e dytë ramë pak, edhe sepse kishim avantazhin 2-1, që donim ta menaxhonim. Megjithatë, skuadra është shumë mirë fizikisht”.