Kylian Mbappé u vu sërish në qendër të vëmendjes te Reali i Madridit fundjavën e kaluar: shënoi golin e dytë ndaj Getafes në javën e 15-të të La Liga-s, pasi kishte lënë topin për Jude Bellingham që të realizonte të parin nga penalltia. Kujtojmë se francezi kishte humbur një penallti kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve.
Carlo Ancelotti, i cili foli në konferencë për shtypin për të bërë parashikimin e ndeshjes kundër Athletic Bilbaos, në “San Mames”, siguroi se vendimi i Mbappésë gjatë ndeshjes kundër Getafes, kur ia dha penalltinë Bellinghamit, nuk lidhej me mungesë vetëbesimi, por ishte një akt altruizmi.
Trajneri shtoi se zgjedhja se kush do të gjuajë penalltitë bëhet mes lojtarëve, në këtë rast, Bellingham dhe Mbappé.
“Nesër do të jenë ata që do të zgjedhin se kush do ta gjuajë penalltinë. Ata do të vendosin se kush është në gjendjen më të mirë për ta goditur, mendoj se kjo nuk është një temë për debat. Dikush mund ta interpretojë veprimin e Mbappésë në penalltinë kundër Getafes si pasiguri, por ne e shohim si një akt altruizmi. Për ne, kjo është shumë e rëndësishme dhe e vlerësojmë shumë, sepse tregon se një talent i jashtëzakonshëm, ndoshta më i madhi, e vë veten në shërbim të ekipit. Kjo është shumë e rëndësishme për ekipin dhe për shokët e tij. Kur ka talent dhe altruizëm, do të thotë se jemi në rrugën e duhur,” tha ai.