“Të drejtosh Real Madridin është nder dhe kënaqësi. Kam thënë se të fitosh nuk është e lehtë, por të fitosh me Real Madridin është pak më e lehtë se në vende të tjera.” Kështu u shpreh Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit, gjatë një interviste për ‘Radio Anch’io Sport’ në Rai Radio 1, pas titullit të tij të radhës të fituar në Kupën Interkontinentale.
‘Objektivi është të arrijmë në finale; këtë synim kemi edhe këtë vit. Rruga nuk ka qenë e lehtë deri tani, na mbeten dy ndeshje për t’u kualifikuar, pastaj shohim. Në Evropë, e vetmja skuadër që ka pasur një rrugëtim të përsosur është Liverpooli, që kryeson si në Champions ashtu edhe në Premier League. Por, në mars-prill është koha kur duhet të jesh gati për të tentuar fitoren.’
Evolucioni i futbollit: “Futbolli ka ndryshuar, po ndryshon dhe do të ndryshojë. Arbitrimi është përmirësuar, ashtu si edhe raporti mes arbitrave dhe lojtarëve ka ndryshuar për mirë. Ajo që duhet rishikuar është numri i ndeshjeve: kalendari është i tepruar dhe shumë kërkues për lojtarët. Nuk ka më mundësi për t’u stërvitur. Kalendari duhet të ndryshojë, nuk mund të vazhdohet kështu, sepse rrezikohet shëndeti i lojtarëve.”
Drejtimi i një kombëtareje: “Nuk e kam marrë ende në konsideratë. Më pëlqen të stërvit çdo ditë. Real Madridi, klubi i fundit? Eh, kush e di, këtë nuk mund ta dimë. Kush e di sa vite do të qëndroj këtu. Kam një kontratë dyvjeçare, por kontratat mund të prishen, por edhe të zgjaten.”
Formati i ri i Champions League: “Ka shumë më tepër surpriza. Skuadra më të njohura si ne, City dhe PSG kanë pasur më shumë probleme krahasuar me skuadra më pak të forta si Lille apo Brest, që tani janë në pozitat e para. Ky format i ri ka sjellë pak më shumë pasiguri. Por ka ende hapësirë për rikuperim.”
10 zëvendësime në të ardhmen e futbollit: “Jo, aspak! Mjafton të luhet më pak ndeshje. UEFA, FIFA dhe ligat kombëtare duhet të gjejnë një marrëveshje. Nga sot deri më 29 janar do të luajmë nëntë ndeshje. Më duket pak e tepruar.”