Carlo Ancelotti zbulon se e ka uruar Pep Guardiolën dhe i ka uruar fat në pjesën e fundit të sezonit pasi Real Madridi e eliminoi Manchester Cityn nga çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Ancelotti foli për “Amazon Prime Video Italia” të mërkurën mbrëma pas kualifikimit për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“Ky është një rezultat i madh i marrë me sakrifica të mëdha. Ne u mbrojtëm mirë dhe kjo ishte e vetmja mënyrë për të fituar këtu”, tha trajneri italian.
Real Madridi fitoi me penallti pas një barazimi të përgjithshëm 4-4, dhe Ancelotti e pa gjuajtjen e penalltive nga fusha, shumë larg nga rezervat e Madridit dhe anëtarët e stafit të tij.
“Sinqerisht, nuk e di. nuk e mbaj mend. Shpresoja që ne të shënonim dhe ata jo. Unë preferoj të izolohem në këto situata”, u përgjigj Ancelotti.
Ish- trajneri i Milanit kishte ndarë një moment me Pep Guardiolën në fushë pas ndeshjes dhe zbuloi se çfarë i tha atij.
“E përgëzova dhe i urova fat për pjesën tjetër të sezonit. Ata fituan sezonin e kaluar, dhe këtë herë ishte radha jonë. Ishte një arritje e madhe të fitosh sot dhe jam shumë i lumtur. Është interesante sepse është gjysmëfinale dhe është veçanërisht e mirë sepse mundëm Manchester Cityn”, përfundoi Ancelotti.
Fitorja e Real Madridit ndaj Manchester Cityt do të thotë se Ancelotti është bërë trajneri i parë që eliminon Pep Guardiolën nga Liga e Kampionëve në tre sezone të ndryshme.
Trajneri italian mbetet i vetmi trajner që ka fituar katër herë kompeticionin elitar të klubeve evropiane.