Nottingham Forest ka zyrtarizuar emërimin e Ange Postecoglou si trajner të ri, vetëm pak ditë pas ndarjes me Nuno Espirito Santo. Trajneri australian 60-vjeçar do të debutojë në stolin e Forest këtë fundjavë, në ndeshjen kundër Arsenalit në Premier League, i shoqëruar nga disa prej ish-anëtarëve të stafit të tij te Tottenham Hotspur.
Postecoglou, i cili u nda nga Spurs-at në qershor, u bë menjëherë kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Forest. Në sezonin e fundit, ai udhëhoqi Tottenham-in drejt fitores në finalen e Europa League kundër Manchester United, duke i dhënë klubit të Londrës së Veriut trofeun e parë madhor pas 17 vitesh. Megjithatë, përfundimi në vendin e 17-të në Premier League dhe rekordi negativ me 22 humbje sollën shkëputjen mes palëve.
Presidenti i Forest, Evangelos Marinakis, e përshëndeti emërimin e Postecoglou: “Po sjellim një trajner me një histori të provuar suksesi. Eksperienca e tij në nivelet më të larta dhe dëshira për të ndërtuar diçka të veçantë me Forest e bëjnë njeriun e duhur për të na ndihmuar të arrijmë ambiciet tona. Tani është koha të bëjmë hapin e radhës për të konkurruar me më të mirët dhe për të synuar trofe”.
Postecoglou ka një karrierë të gjatë në trajnim: fillimisht në Australi me klube dhe ekipet kombëtare të moshave, më pas si trajner i kombëtares australiane (2013–2017). Ai fitoi J-League me Yokohama F. Marinos në 2019, ndërsa me Celtic në Skoci siguroi pesë trofe vendas, përfshirë titullin kampion në të dy sezonet e tij.
Tashmë, me një eksperiencë të pasur dhe një CV të mbushur me trofe, Postecoglou synon të shkruajë një kapitull të ri historik me Nottingham Forest.