Angel Di Maria do të qëndrojë në Benfica edhe sezonin e ri. Anësori-sulmues argjentinas, pas largimit nga kombëtarja, shpresonte ta mbyllte karrierën në vendlindjen e tij. Ai synonte të luante me Rosario Central, por disa kërcënime me vdekje që mori e bënë atë të ndryshojë mendje.
Në një intervistë dhënë për “Rosario 3”, Di Maria ka shpjeguar arsyen pse vendosi të qëndronte në Portugali me familjen e tij: “Ata lanë një kokë derri dhe një plumb, me një shkrim ku shkruhej: Nëse ktheheni, koka tjetër do të jetë ajo e vajzës suaj Pia”.
“Kërcënimet ishin përtej çdo kufiri. Kjo ndodhi në shtëpinë e motrës sime, nuk ishte shfaqur deri më tani sepse ajo dhe kunati im u trembën dhe nuk bënë denoncim. Unë mora vendimin të mos kthehesha në Rosario Central pas kërcënimit të parë”, tha më tej Di Maria.
Lojtari do të mbushë 37 vjeç më 14 shkurt 2025 dhe për të duket e vështirë të realizojë ëndrrën e tij nga e cila u desh të hiqte dorë për të mos rrezikuar familjen e tij: “Dëshira dhe ëndrra ime ka qenë gjithmonë të kthehesha e të luaja me fanellën e Rosria Central e të tërhiqesha nga futbolli”.
Në fund, Di Maria u shpreh: “Natyrisht e përsëris sa herë që më pyesin, sepse këtë e ndjej dhe kam shpresuar gjithmonë. Ky ishte momenti i duhur për të luajtur aty pas largimit nga kombëtarja, por nuk ndodhi”.