Anglia ka regjistruar një fitore spektakolare 7-0 ndaj Kroacisë në kuadër të raundit të tretë të Ligës së Kombeve, duke dominuar plotësisht takimin dhe duke i shkaktuar kundërshtarit një humbje të rëndë.
“Tre Luanët” e nisën furishëm ndeshjen dhe vetëm pas tetë minutash kaluan në epërsi. Jude Bellingham shërbeu bukur për Harry Kane, i cili me një goditje fantastike e dërgoi topin në këndin e sipërm të portës për 1-0.
Anglia vazhdoi të kontrollonte lojën dhe në minutën e 21-të e dyfishoi epërsinë. Anthony Gordon asistoi për Jude Bellinghamin, ndërsa ylli anglez nga afërsia nuk gaboi për 2-0.
Dominimi i mysafirëve vazhdoi dhe në minutën e 39-të erdhi edhe goli i radhës për 3-0. Një krosim në zonë përfundoi te Jarell Quansah, i cili asistoi për Anthony Gordonin dhe ky i fundit me kokë e dërgoi topin në rrjetë.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Anglia shënoi edhe golin e katërt. Jude Bellingham këtë herë ishte asistuesi, ndërsa Bukayo Saka përfitoi nga pasimi i tij dhe realizoi në portën e boshatisur për 4-0.
Në minutën e 53-të, Harry Kane shënoi golin e tij të dytë personal. Elliot Anderson dërgoi një krosim të bukur në zonë, ndërsa kapiteni anglez u gjend në vendin e duhur për ta çuar rezultatin në 5-0.
Kroacia tashmë ishte e dorëzuar dhe në minutën e 68-të erdhi edhe goditja e fundit. Kane e gjeti të lirë Bukayo Sakën në zonë, ndërsa sulmuesi i Arsenalit realizoi me qetësi për 6-0, duke vulosur një nga fitoret më bindëse të Anglisë.
Në minutën e 87-të, Anglia realizoi edhe golin e shtatë, ku kësaj radhe ishte Morgan Rogers që realizoi për 7-0 pas asistimit të Jude Bellingham, me këtë të fundit që kompletoi het-trikun e asistimeve.
Me këtë triumf, Anglia shkon në kuotën e gjashtë pikëve, aq sa ka edhe Spanja në krye të grupit. Megjithatë, spanjollët ende duhet ta zhvillojnë ndeshjen e tyre të raundit të tretë ndaj Republikës së Çekisë, rezultat që mund të ndryshojë renditjen në grup.