Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate është ankuar për atmosferën “e pazakontë” që mbretëron pas barazimit 0-0 me Slloveninë që kualifikoi të dyja kombëtaret në fazën e 16-shes të Kampionatit Evropian 2024. Ndërsa lojtarët sllovenë festuan arritjen historike me tifozët e tyre, trajnerin dhe futbollistët anglezë u pritën me fishkëllima dhe hedhjen e gotave plot birrë kur iu afruan pjesës së stadiumit të Këlnit të rezervuar për tifozët e tyre.
“Nuk kam parë asnjë skuadër tjetër të kualifikohet dhe të ketë një reagim të tillë. Jam shumë krenar për lojtarët, për mënyrën se si ata ruajtën qetësinë në lojë, edhe kur ishin në një mjedis vërtet sfidues. Më ktheu në ditët kur luaja për Anglinë. Po krijohet një atmosferë e pazakontë për të punuar”.
Southgate, kontrata e të cilit skadon në fund të këtij viti, ka lënë të kuptohet se ai do të largohet si trajner i Anglisë nëse ata nuk e fitojnë Kampionatin Evropian. Por ai është i bindur për të mbajtur një humor pozitiv. “U kërkoj lojtarëve të jenë të guximshëm dhe nuk do të tërhiqem nga falënderimi për tifozët. Është shumë e rëndësishme që ata të qëndrojnë pranë ekipit, pavarësisht se çfarë mendojnë për mua. Unë jam pranë Anglisë prej 20 vitesh, e kuptoj”.