Trajneri i Carlo Ancelotti ka pranuar se dëshiron që Endrick të ketë më shumë minuta në dispozicion, duke rikthyer në vëmendje të ardhmen e sulmuesit brazilian te Real Madrid.
Sipas Calciomercato.com, situata e Endrick ka rindezur debatin në Brazil rreth vendimit të talenteve të rinj për t’u larguar shumë herët drejt Evropës. Shumë prej tyre transferohen te klubet më të mëdha të kontinentit, por më pas përballen me vështirësi për të siguruar minuta dhe vazhdimësi, transmeton ORAinfo.
Ancelotti, duke folur në një konferencë për shtyp, e mori Endrick si shembull dhe theksoi rëndësinë e aktivizimit të lojtarëve të rinj.
“Problemi me djemtë brazilianë është se nuk përmirësohen sepse nuk luajnë. Kjo ndodh me Endrick, por edhe me talente të tjera si Estevão. Ata shkojnë në Evropë në moshën 18 ose 19-vjeçare, mbërrijnë në klubet e mëdha dhe nuk gjejnë minuta.”
Trajneri shtoi se pa luajtur rregullisht, të rinjtë e kanë më të vështirë të zhvillohen, ndërsa parashikoi një të ardhme të rëndësishme për Endrick me kombëtaren braziliane.
Vetëm katër minuta këtë sezon
Endrick nuk e ka nisur sezonin sipas pritshmërive. Deri tani, sulmuesi brazilian ka regjistruar vetëm katër minuta lojë, ndërsa një problem i vogël muskulor ka ndikuar gjithashtu në situatën e tij.
Pavarësisht konkurrencës së madhe në repartin ofensiv të Real Madridit, pritshmëria ishte që Endrick të ishte një alternativë e rëndësishme pas Kylian Mbappé dhe Vinicius Junior. Megjithatë, minutat e pakta kanë bërë që e ardhmja e tij të diskutohet sërish.
Një huazim te Lyon sezonin e kaluar i dha brazilianit më shumë hapësirë dhe ai shënoi shtatë gola, duke treguar potencialin e tij kur aktivizohet rregullisht.
Milani dhe Roma interesohen
Situata e Endrick ka tërhequr vëmendjen e AC Milan dhe AS Roma.
Milani raportohet se kishte tentuar të interesohej për lojtarin gjatë verës dhe mund të rikthehet te agjentët e tij në rast se Real Madridi hap derën për një tjetër huazim.
Edhe Roma po e monitoron situatën. Klubi kryeqytetas kërkon të përforcojë repartin ofensiv dhe Endrick është një prej emrave që mund të merret në konsideratë.
Për momentin, e ardhmja e brazilianit mbetet e lidhur me vendimin e Real Madridit dhe minutat që ai do të marrë gjatë sezonit. /ORAinfo/