Ansu Fati po rilind në mënyrën më të bukur të mundshme në Francë. Sulmuesi spanjoll, i huazuar nga Barcelona te Monaco pas rinovimit të kontratës deri në vitin 2028, po mahnit në fillim të sezonit në Ligue 1, ku është kthyer në një nga ‘yjet’ më të ndritshëm të kampionatit.
Me 5 gola në vetëm 3 ndeshje, Fati ka hyrë në histori duke u bërë lojtari që arrin këtë kuotë më shpejt se kushdo tjetër në Francë që prej vitit të largët 1948. Në total, ai ka realizuar 5 herë në 126 minuta lojë, duke thyer rekordin që mbahej nga Johan Audel (137 minuta me Valenciennes në vitin 2007). Mesatarja e tij, 1.67 gola për ndeshje, është thjesht e jashtëzakonshme.
Në prag të 23-vjetorit që do ta festojë më 31 tetor, Fati po tregon se problemet fizike i përkasin së kaluarës. Përveç paraqitjeve në kampionat, ai ka shënuar edhe në Champions League, ndërsa aktualisht ndan kryesimin e listës së golashënuesve të Ligue 1 me argjentinasin Joaquín Panichelli të Strasbourg-ut.
Pas një periudhe të gjatë të vështirë, e mbushur me dëmtime dhe pasiguri, Ansu Fati duket sërish ai i dikurshmi, i shpejtë, i guximshëm dhe i saktë para portës. Rilindja e tij është një lajm i madh jo vetëm për Monaco-n, por edhe për Barcelonën dhe gjithë ata që besonin se “fenomeni i vitit 2019” do të kthehej një ditë në qendër të skenës evropiane.