Prezantimi zyrtar do të bëhet në fundin e muajit, por Antonio Konte është kokë e këmbë i përfshirë në aventurën e re me skuadrën e Napolit. Ish-trajneri i Interit ka folur për sajtin zyrtar të klubit napolitan ku shpreh krenarinë dhe objektivin për të bërë mirë me këtë ekip që ka një mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët.
“Nëse më thonë Napoli, më vijnë më mendje shumë gjëra. Është një prej qyteteve më të bukura në botë. Populli napolitan është një popull me pasion. E di që do të jetë një eksperiencë e bukur, sportive dhe për jetën. Kam shumë entuziazëm dhe dëshirë për ta jetuar këtë. Fakti që kemi këtë privilegj për të bërë këtë punë, ta kesh si eksperiencë në Napoli është diçka unike. Nëse dikush e ka mundësinë, nuk duhet ta humbasë apo t’i thotë jo”, ishin fjalët e para të Antonio Kontes. Ai gjithashtu ka edhe një mesazh për tifozët e kësaj skuadre. “Dua t’ju premtoj se unë do të bëj gjithçka në këtë skuadër. Bashkë me lojtarët do të tentojmë maksimumin.
Stadiumi Maradona më sjell në mendje një kujtim shumë të bukur. Luhej ndeshja Napoli-Leçe dhe unë kisha privilegjin që të markoja dhe të luaja kundër Diego Armando Maradonës. Humbëm 3-2 në fund sepse shënoi gol Karnevale, por kujtimi më i bukur është goli im i parë në Serinë A. Pikërisht në Maradona dhe për më tepër duke luajtur kundër një miti dhe një legjende të tilla. Ishte për mua një nga emocionet më të mëdha të karrierës në atë kohë. E ruaj si një kujtim shumë të bukur dhe të çmuar”, përfundoi Konte. Trajneri italian u zyrtarizua në krye të ekipit për 3 sezonet e ardhshme me një rrogë vjetore 6,5 milionë euro dhe bonuset.
Ato do të jenë të lidhura me rezultatet sportive që do të marrë skuadra, përfshirë këtu rikthimin në Champions dhe fitoren e Serisë A. Konte ka vendosur kusht që kërkon Romelu Lukakun, por edhe disa lojtarë që të përshtaten me skemën e tij me 3 mbrojtës. Mbetet për t’u parë nëse do të luajë me skemën 3-5-2 apo 3-4-3 për t’u përshtatur me lojtarët që ka në dispozicion për të nisur sezonin. Kështu ai rikthehet në Itali pas eksperiencës me Interin që e mbylli me fitoren e titullit kampion dhe u largua për faktin se pronarët vendosën shitjen e lojtarëve të rëndësishëm.
PANORAMASPORT.AL