Wednesday, 19. August 2026
Sport

Arbitrimi shqiptar përgatitet për sezonin e ri, mbyllet seminari 4-ditor për arbitrat e Kategorisë së Parë

GS 19/08/2026 2 Min. Lesezeit

Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit përmbylli me sukses seminarin 4-ditor për arbitrat e Kategorisë së Parë, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik në kampionatin “Abissnet Superiore”.

Në këtë seminar mori pjesë edhe instruktori i UEFA-s, Kosta Capitanis, i cili kontribuoi në zhvillimin e sesioneve teorike dhe praktike, duke sjellë eksperiencën dhe standardet e UEFA-s në përgatitjen e arbitrave shqiptarë.

Pjesë e rëndësishme e seminarit ishin edhe testimet fizike, përmes të cilave arbitrat e Kategorisë së Parë vlerësuan dhe testuan përgatitjen e tyre fizike në prag të sezonit të ri.

Programi 4-ditor përfshiu një gamë të gjerë tematikash që lidhen me vendimmarrjen, menaxhimin e ndeshjes, komunikimin dhe përgatitjen fizike e mendore të arbitrave. Në fokus ishin incidentet në zonën e penalltisë, menaxhimi i ndeshjes, prekja e topit me dorë dhe shkeljet përkatëse, faullet në ndërhyrje, pozicioni jashtë loje, si edhe pozicionimi dhe leximi i lojës.

Një tjetër temë e rëndësishme ishte komunikimi mes arbitrit dhe kapitenit, ndërsa u trajtuan gjithashtu puna në grup, përgatitja mendore me konceptin “One Team”, përgatitja dhe ngarkesa fizike, si dhe aspektet që lidhen me VAR-in dhe linjën e ndërhyrjes.

Në kuadër të seminarit u zhvilluan edhe sesione praktike në fushë, me fokus te pozicionimi, leximi i situatave të lojës dhe aplikimi i vendimeve në kushte reale.

Arbitrat u njohën gjithashtu me ndryshimet e reja në rregullat e lojës, përmes dy sesioneve të dedikuara, ndërsa programi përfshiu edhe testimin e rregullave të lojës.

Në përfundim të seminarit u dhanë edhe instruksione për sistemin COMET dhe protokollin e pajisjeve Wokero, duke plotësuar përgatitjet e arbitrave për sezonin e ri.

Seminare të tilla janë pjesë e rëndësishme e punës së Sektorit të Arbitrimit në FSHF për rritjen e vazhdueshme të standardeve të arbitrimit, harmonizimin me praktikat e UEFA-s dhe përgatitjen sa më të mirë të gjyqtarëve për sfidat e sezonit të ri.

Teilen: