Arbnor Rifati ngre alarmin për mosbesimin e klubeve të basketbollit tek trajnerët vendorë
Trajneri i basketbollit Arbnor Rifati ka reaguar publikisht përmes një statusi kritik në rrjetet sociale, duke e ngritur shqetësimin për mungesën e besimit që klubet e Superligës së Kosovës po u japin trajnerëve vendorë.
Ai thekson se ky fenomen po përsëritet vazhdimisht dhe po dëmton seriozisht zhvillimin e basketbollit kosovar, duke sjellë shembuj konkretë të vendimmarrjeve që i konsideron të gabuara.
Rifati përmend rastin e G.E. Yllit, ku sipas tij u emërua një trajner i huaj që kishte dështuar sezonin e kaluar, duke u anashkaluar një trajner vendas që kishte regjistruar katër fitore radhazi. Po ashtu, ai ndalet te Rahoveci 029, ku trajneri vendor u shkarkua pavarësisht tejkalimit të objektivave, për t’u zëvendësuar me një trajner të huaj që, sipas Rifatit, nuk justifikoi besimin. Si shembull pozitiv, ai veçon Vëllaznimin që i ka besuar trajnerit Selimi, si dhe punën e mirë të KB Trepçës dhe KB Bashkimit, me investime të qëndrueshme në skuadra dhe trajnerë të dëshmuar, duke vlerësuar veçanërisht trajnerin Adis Beqiragić.
Në reagimin e tij, Rifati bën një krahasim të drejtpërdrejtë, duke theksuar se nëse një trajner kosovar do të kishte pasur rezultatet negative që po i shënohen trajnerit aktual të Prishtinës, kritikat do të kishin qenë shumë më të ashpra.
Ai rikujton sukseset e trajnerëve vendorë, si fitimi i BIBL nga Albert Sylejmani me Sigal Prishtinën, duke theksuar se Kosova ka trajnerë të aftë dhe me dije.
Sipas tij, problemi nuk është mungesa e cilësisë, por mungesa e besimit dhe orientimi i gabuar drejt “eksperimenteve”.