Trajneri i Shakhtarit, Arda Turan, prezantoi sfidën e Champions League kundër Interit dhe foli për vështirësitë e drejtimit të një klubi ukrainas gjatë luftës: “Besojmë te sistemi ynë. Duam të kontrollojmë topin dhe të reagojmë menjëherë kur e humbasim”. Udhëtimet për ndeshjet europiane zgjasin mesatarisht 14–16 orë, ndërsa ndonjëherë skuadra nuk kthehet fare në shtëpi: “Futbolli mund t’u japë njerëzve pak lumturi. Ne nuk jemi vetëm një ekip, por shpresa e një vendi”.
Për Interin, turku tha: “Energjia që shoh në fushë tregon lidhjen e fortë mes Chivu dhe lojtarëve. Ky Inter mund të fitojë në çdo nivel ku garon”. Ai tha se si trajner merr frymëzim taktik nga Simeone, Luis Enrique, Terim dhe Burgos.
Për Hakan Calhanoglu, ish-shokun e skuadrës, Turan u shpreh: “Për mua është më shumë se një ish-shok skuadre. Është vëllai im. E dua shumë. Në fushë është i jashtëzakonshëm, kontrollon ritmin, merr vendimet e duhura nën presion dhe është lider”.
Për Champions-in, Turan veçoi PSG-në dhe Bayernin si favoritë, por beson se edhe Barcelona me Interin mund të shkojnë larg. “Nëse duhet të zgjedh një fitues, do të doja Atleticon”.