Kapiteni i ri i Barcelonës, Serxhi Roberto ka dhënë një intervistë të gjatë për “Catalunya Ràdio”. Ai është ndalur tek fakti që do të jetë kapiteni i ri këtë sezon. Ndër të tjera foli për merkaton, Championsin si dhe ardhjen e mundshme të Mbapes tek Real Madridi.
“Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar. Është një hap i ri në karrierën time, jam shumë krenar pasi kalova gjithë jetën time në këtë klub. Është diçka për të cilën do të jem gjithmonë krenar. Unë tashmë isha një nga katër kapitenët dhe tani të jesh i pari është një përgjegjësi e madhe. Pyjol, Çavi, Iniesta, Mesi dhe Buskets.. Të ndjekësh gjurmët e këtyre lojtarëve të mëdhenj dhe miqtë është një nder. Shfrytëzoj rastin të përgëzoj tre kapitenët e tjerë. Ter Shtegen ishte tashmë një ndër, por De Jong dhe Araujo janë të rinj. Ne formojmë një ekip të madh.”
Merkatoja
“Ne e dimë situatën, edhe nëse askush nuk vjen, kemi një ekip të shkëlqyer. Nëse ndodh e kundërta, ata do të jenë të mirëpritur, sepse do të ndihmojnë për të bërë një ekip më të mirë.
Rikthimi i Mesit
“Ne ishim të emocionuar me idenë që mund të luanim përsëri me të. Në fund u përpoqëm dhe nuk ishte e mundur. Ishte për të ardhur keq. Të gjithë ishim të emocionuar, ata që nuk kishin luajtur me të na pyetën se si do të ishte. Ishte shumë bukur dhe e veçantë, por nuk ndodhi kështu.”
Ëndrra e Ligës së Kampioneve
“Është një nga qëllimet. Mendoj se kemi një ekip të aftë për të konkurruar, vitin e kaluar kemi pasur një grup të vështirë dhe duhet të mësojmë nga gabimet. Unë mendoj se ekipi mund ta bëjë këtë, ne duhet të luftojmë për të fituar por pa harruar kampionatin. Ngritja e trofeut si kapiten? Po, mund ta imagjinoj dhe shpresoj se mund ta bëj. Do të ishte spektakolare.”
Ardhja e mundshme e Mbapes tek Real Madrid
“Niveli do të ngrihej shumë me të, ai është një nga lojtarët më të mirë në botë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë me këtë telenovelë.”
PANORAMASPORT.AL