Monday, 23. February 2026
Sport

Ardian Nuhiu largohet nga Tirana, e zëvendëson Orges Shehi

GS 23/02/2026 2 Min. Lesezeit

Ardian Nuhiu nuk është më trajneri i Tiranës. Humbja e së dielës me Teutën, kjo në “Selman Stërmasi”, duket se nuk është përtypur mirë nga drejtuesit bardheblu, të cilët të hënën kanë bërë zyrtare vendimin e tyre.

E pas Nuhiut në krye të pankinës bardheblu, ashtu sikurse konfirmohet nga burime zyrtare për RTSH Sport, trajner i Tiranës do të jetë Orges Shehi. Fillimisht deri në fund të sezonit me të drejtën e rinovimit të kontratës për sezonin e ri.

Shehi stërvitjen e parë zyrtare do ta bëjë të martën. Për Tiranën, Shehi është trajneri i katërt i sezonit. Fillimisht Vangjel Mile. Më pas italiani Roberto Bordin e pas tij Ardian Nuhiu me të cilin Tirana nisi rrugën e rehabilitimit për të dalë nga fundi i renditjes.

Por humbja në derbi dhe kjo e e fundit me Teutën, ndërsa Tirana nuk ka shanse as në Kupën e Shqipërisë, teksa ka humbur ndeshjen e parë në raundin çerekfinal me Dinamon, ka rënduar situatën.

Dhe zgjidhja për mbijetesën në Superiore është Orges Shehi, i cili ka qenë trajner i Tiranës për dy sezone, 2021-2022 dhe 2022-2023. Madje në sezonin 2021-2022 me Shehin Tirana doli kampion. Kështu që shpresat për mbijetesë duken të mëdha me Shehin.

Teilen: