Saturday, 28. March 2026
Sport

Ardon Jashari i thotë Allegrit “maestro”: Qëllimi jonë është kualifikimi në Champions

GS 28/03/2026 2 Min. Lesezeit

Ardon Jashari ka folur për periudhën e adaptimit te Milani, pasi u transferua nga Club Brugge në janar, duke vlerësuar shumë ndikimin e trajnerit Massimiliano Allegri dhe duke treguar ambiciet e tij në “San Siro”.

Mesfushori i Zvicrës, me prejardhje shqiptare, i cili po integrohet gradualisht në skuadrën e Allegrit, nuk i kurseu fjalët e mira për trajnerin në një intervistë për “Il Foglio”, me citime të publikuara nga “TuttoMercatoWeb”.

“Ai është një mjeshtër për mua, përpiqem të mësoj sa më shumë prej tij,” tha Jashari.

“Ka përvojë të madhe dhe flet shpesh me mua. Më thotë të futem më shumë përpara, të luaj me intensitet dhe të godas kur të vijë mundësia. Më shtyn të përmirësohem edhe në stërvitje”, shtoi ai.

Ai pranoi gjithashtu se roli i tij në fushë ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit dhe se këshillat e Allegrit kanë qenë shumë të rëndësishme për përshtatjen e tij.

Sa i përket ambicieve, Jashari ishte i drejtpërdrejtë.

“Jam këtu për të fituar, për veten time, për ekipin dhe për tifozët. Dua të jap maksimumin çdo ditë, me entuziazëm dhe profesionalizëm. Shpresoj ta vesh këtë fanellë për shumë vite.”

Për objektivat afatshkurtër, ai theksoi: “Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Qëllimi ynë është të rikthehemi në Champions mes klubeve më të rëndësishme në Evropë. E dimë që duhet të punojmë fort, por kjo nuk na frikëson”.

Aktualisht, Milani renditet i dyti në Serie A, gjashtë pikë pas Interit, me tetë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.

Teilen: