Luka Romero ka ardhur si lojtar i lirë e ka fir mosur një kontratë pesëvjeçare me kuqezinjtë, ndërkohë që për aventurën e re ka zgjedhur të mbajë numrin 18 që përkon me moshën e tij. E premtja ka qenë dita e prezantimit të argjentinasit në konferencë për shtyp.
Si është ky fillim i aventurës te Milani?
Jam shumë i lumtur që jam këtu. Gjithçka po shkon mirë, edhe falë ndihmës së shokëve të skuadrës dhe të gjithëve stafit. Mendoj se qëndroj këtu, më pëlqen mjedisi. Mund të mësoj shumë për shkak të nivelit të lartë që ka në ekip. Jam mirë dhe nuk e mendoj largimin në huazim.
Përse zgjodhët Milanin dhe cili është roli i preferuar?
Isha në Kupën e Botës U20, kur erdhi oferta e Milanit dhe menjëherë mendova të pranoj. Thjesht doja të vija në një klub historik si ky dhe uroj të ndryshoj historinë e argjentinasve. Sa për rolin, jam gati të luaj aty ku më vendos trajneri. Pozicioni im i preferuar është prapa sulmuesit, aty ku vitin e kaluar luante Diazi. Por më pëlqejnë të gjitha rolet e sulmit.
Keni ndonjë lojtar tek i cili frymëzoheni?
Ronaldinjo dhe Kaka janë idhujt e mi, por më pëlqeu edhe mënyra e lojës së Diazit vitin e kaluar. Me Sarrin kam mësuar shumë nga ana taktike dhe Seria A më duket një kampionat i bukur.
Çfarë qëllimesh keni dhe përse zgjodhët numrin 18?
Duam të fitojmë, kampionati është i gjatë, por do të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Zgjodha fanellën me numrin 18 sepse më pëlqen numri, është dita kur linda unë dhe disa nga familjarët e mi.
Si kanë qenë stërvitjet e para?
Të jesh te Milani është një ëndërr. Mund të mësoj shumë. Më pëlqen që punohet shumë me topin. Nuk kam ndier kurrë presion. Më pëlqen të luaj futboll. Nuk kam frikë apo ankth të jem këtu, jam i qetë, kur të kem mundësi do të jap gjithçka. Kam folur edhe me trajnerin, i cili më jep shumë këshilla.
Keni folur me ndokënd për Milanin dhe cili nga lojtarët ju bën më tepër kurioz?
Dua t’i njoh të gjithë shokët, por të preferuar kam Leaon, të cilin nuk kam pasur ende fatin ta njoh, pasi është ende me pushime.
Për Milanin nuk ka nevojë të flas me askënd, sepse është një klub që e njeh e gjithë bota. Kur isha te Lacio dhe nisën zërat e parë, bisedova pak me Romanjolin dhe Reinën, të cilët më garantuan se te Milani do të ndihesha shumë mirë.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL