Pas një periudhe të suksesshme si huazim në klubin Italian Frosinone, Arijon Ibrahimovic pritet të ketë një “mundësi të dytë” tek Bayern Munchen në sezonin e ri.
Sipas “Kicker”, klubi bavarez nuk dëshiron ta lejojë 18-vjeçarin të largohet në një huazim tjetër, me Ibrahimovicin që pritet të ketë minuta në skuadrën e Vincent Kompany.
Që nga ardhja e Kompany, planifikimi i skuadrës për sezonin e ardhshëm veçse ka nisur.
Siç raporton “Kicker”, belgu ka shpalosur idenë e tij te drejtuesit e klubit, e cila është të promovojë dhe të integrojë më shumë lojtarë të rinj në ekipin e parë, si rasti i Ibrahimovic.
Mesfushori-sulmues shkëlqeu në pjesën e parë të sezonit, mirëpo pati probleme me lëndime në gjysmën e dytë të edicionit të kaluar.
Por, me paraqitjet e tij, ai fitoi lëvdata nga CEO i Frosinones, Guido Angelozzi, i cili tha se ai do të jetë e ardhmja e Bayernit.
“Ai është shumë i talentuar dhe jam i bindur që ai do të gdhendë një vend të rëndësishëm në vitet e ardhshme në Bayern”, tha Angelozzi për “Kicker”.
Bayerni beson se Ibrahimovic tashmë është pjekur si lojtar, dhe se përvoja në Itali i ka bërë shumë mirë, duke përjetuar një kulturë dhe një gjuhë krejtësisht tjetër.
Ibrahimovic ka edhe nënshtetësinë e Kosovës krahas asaj të Gjermanisë, gjersa ka pasur interesim për të, si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria.
Por, për momentin, 18-vjeçari është reprezentues i Gjermanisë U19, ndërsa mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë në të ardhmen.