Kombëtarja e Kosovës u19 ka nisur mrekullisht kampanjën ‘Elite Round’ për kualifikimin në Kampionatin Evropian, pasi ka triumfuar ndaj Austrisë me rezultatin minimal 1:0.
Gara kualifikuese për Kampionatin Evropian “Elite Round”, përcakton shtatë skuadrat që do t’i bashkohen nikoqirit të kualifikuar automatikisht Irlandën e Veriut në turneun final të Kampionatit Evropian U-19 UEFA 2024.
Kosova ndodhet në grupin 1 bashkë me Austrinë, Spanjën dhe Slloveninë. Momentalisht, Kosova pas xhiros së parë, ndodhet në vendin e parë në grup me 3 pikë, teksa ndiqet nga Spanja e Sllovenia me nga një pikë – e Austria e fundit me asnjë pikë.
Ndeshjet e ardhshme të Kosovës?
Kosova U19 në krye me Adil Maliqin do të luajë edhe dy ndeshje tjera. Fillimisht me Spanjën pas tri ditës (23 mars) dhe në fund me Slloveninë me 26 mars. Në rast se pas tri ndeshjeve, Kosova mbetet në vendin e parë në grup, atëherë siguron kualifikimin e madh në Kampionatin Evropian U-19.
Intervistë me trajnerin Gazmend Halitin, njeriun që përzgjodhi këtë gjeneratë tek grupmoshat U15.
Trajneri i mirënjohur kosovar, Gazmend Haliti mund të konsiderohet njëri nga meritorët për sukseset e kësaj gjenerate, duke pasur parasysh se përzgjodhi futbollistë nga Kosova dhe vendet e tjera evropiane, duke ndërtuar një skuadër shumë cilësore.
“Kjo ishte gjenerata që përzgjodha për grupmoshat U15, ishte një gjeneratë shumë e suksesshme, nuk pësuam asnjë humbje në të gjitha ndeshjet që kemi pasur në atë kohë.
Kemi testuar shumë futbollistë në Gjermani, Zvicër, Skandinavi, Angli si dhe shumë futbollistë që luajnë në Kosovë. Mendoj se kjo është një gjeneratë e artë sepse ka shumë futbollistë që luajnë në Kosovë që kanë shumë cilësi, si dhe futbollistë që luajnë në vende të ndryshme evropiane që janë rritur shumë në klubet ku punojnë.
Presidenti i FFK-së në bashkëpunim me Komitetin Ekzekutiv të FFK-së për interesa personale më mohuan të drejtën për të udhëhequr këtë gjeneratë në kualifikimet për Kampionatin Evropian U17, ishte një vendim i padrejtë dhe joprofesional, një vendim i interesave personale që u dëshmua si i gabuar, sepse e meritova ta udhëheq këtë gjeneratë në kualifikimet për Kampionatin Evropian U17″, tha fillimisht Haliti.
Si e vleresoni paraqitjen e djeshme të Kosovës U19 dhe fitoren e madhe të arritur ndaj Austrisë?
Fitoren ndaj Austrisë e vlerësoj në nivelin më të lartë, sidomos në aspektin taktik edhe përkundër presionit të austriakëve, skuadra ishte kompakte, sidomos portieri më premtues Erion Avdija, i cili u dëshmua si e ardhmja e Kombëtares A. Në ndeshjet kualifikuese suksesi në ndeshjen e parë është shumë i rëndësishëm, Kosova U19 e ka arritur këtë dhe mendoj se tani në aspektin psikologjik jemi në epërsi, edhe me barazim kundër Spanjës, shanset janë reale për kualifikim në Evropian U19.
Sa ka gjasa që Kosova U19 të kualifikohet në Evropian, a ka forcë për fitore edhe në ndeshjet ndaj Spanjës dhe Sllovenisë?
“Mendoj se duke ditur cilësinë e Spanjës, takimi do të jetë shumë i vështirë, por në aspektin psikologjik jemi në përparësi ndaj Spanjës, mendoj se me një barazim shanset do të jenë reale për kualifikim“, përfunndoi ai.
/GazetaBlic Sport/