Ka përfunduar sot Kampionati Europian për Shqipërinë. Kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin e ngushtë 0-1 nga Spanja. Iberikët gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 13 me anë të Ferran Torresit, i cili shënoi golin e vetëm të takimit. Por pavarësisht humbjes, Shqipëria pati rastet e veta, duke i shkuar pranë barazimit. Megjithëse largohemi nga Kampionati Europian, kuqezinjtë duhet ta mbajnë kokën lart, pasi loja premton siguri për të ardhmen. Më poshtë ndiqni intervistat e protagonistëve për “TV Klan”-in.
Broja: “Të gjithë çunat mund ta mbajnë kokën lart. Kemi bërë një Europian shumë të bukur. Të treja ndeshjet i kemi mbajtur shumë afër. Nuk ishte ndonjë ndeshje që na kanë mbytur, apo na kanë shkatërruar. Ishim shumë afër. Sigurisht që do të doja më shumë minuta. Është një turne shumë i bukur. Vjen një herë në 4 vjet, nuk vjen gjithmonë. Mund të luash vetëm një herë në jetë. Do të kisha dashur të luaja më shumë, por unë jam lojtar dhe trajneri i merr vendimet. Duhet respektuar çfarë thotë trajneri. Në ndeshjen e parë mund të luaja më mirë, por po luanim shumë prapa. Në ndeshjen e dytë do të kisha pasur shumë qejf të hyja, edhe në këtë ndeshje. Jam shumë i kënaqur kur më thirrën emrin tifozët. Përmbrenda isha duke qeshur, por e ruajta seriozitetin në fytyrë. Shqiptarët më kanë ndihmuar shumë. Edhe kur u dëmtova më kanë mbështetur shumë. Më kanë ndenjtur nga pas”.
Silvinjo: “I trishtuar për rezultatin. Por nga ana tjetër, kishim kundërshtarë kampionët. Kampinë të Botës, të Ligës së Kombeve, të Europës. Dalim me kokën lart nga ky kompeticion. Kemi luftuar në çdo ndeshje. Kur i referohesh Europianit, mendoj që kemi arritur një kufi shumë të rëndësishëm dhe jam shumë i kënaqur me lojtarët. Kemi parë 6-7 lojtarë shumë të rinj në fushë. Edhe lojtarët e tjerë me përvojë kanë bërë shumë mirë në këto sfida. Të gjithë prisnin 3-0 në ndeshjen e parë, 4-0 në të dytën. Por ne kemi qenë në lojë në të gjitha ndeshjet. Mendoj që është e rëndësishme të luajmë në Botëror. Është e rëndësishme të luajmë në një tjetër Europian. Nuk është e thjeshtë, duhet punë. I falenderoj të gjithë, Federatën, stafin, ata me të cilët kemi punuar dhe Shqipërinë”.
Gjimshiti: “Nuk e di nga ta filloj. Po e filloj nga ekipi dhe stafi. Jam i lumtur për performancat që treguam në fushë. Jo për ndeshjen e parë, sepse kishim pak emocione. Por me kroatët meritonim diçka më shumë, edhe sot meritonim një barazim. Falenderoj tifozët, që na kanë mbështetur shumë. Jo vetëm në stadium, por edhe jashtë. Gjëja më e rëndësishme është që të shohim përpara. Kemi pasur grupin më të vështirë. Prapë kemi treguar ndeshje të mira. Kemi bërë edhe gabime, por kjo është eksperiencë që të rrit. Kemi shumë lojtarë të rinj, që do t’i rrisë shumë ky Europian”.
Merino: “Na vjen keq, sepse kishit një ekip të mirë. Luajtët një lojë të mrekullueshme kundër Italisë dhe kundër Kroacisë. E dinim që do të ishte e vështirë. Është skuadër që vrapon shumë dhe e tregoi këtë në pjesën e dytë. Jemi të lumtur, sepse i fituam të treja ndeshjet. Nuk kemi frikë nga askush. Do të japim më të mirën. Kemi besim në çfarë mund të bëjmë. Kemi edhe një dhomë zhveshjesh shumë të mirë, jo në nivel lojtarësh, por si qenie njerëzore”