Arne Slot thotë se ndjen një përgjegjësi të madhe për t’u dhuruar tifozëve të Liverpulit një ditë për t’u mbajtur mend të dielën, pasi titulli i fundit i fituar në ligë u sigurua pas dyerve të mbyllura për shkak të pandemisë së “Covid”-it.
“Reds”-at janë shumë pranë titullit të Premier Ligës dhe do të shpallen zyrtarisht kampionë nëse marrin një pikë kundër Totenhemit të dielën. Trajneri holandez e di se ka shumë pritshmëri për këtë ndeshje dhe se biletat për ndeshjen janë thuajse të pamundura për t’u gjetur. Por ai thotë se mund ta përballojë këtë peshë pritjeje dhe të dhurojë një moment që tifozët ta çmojnë përgjithmonë.
“Është një përgjegjësi e madhe, sepse jemi të vetëdijshëm që herën e fundit kur ky klub fitoi ligën ishte koha e ‘Covid’-it, kështu që të gjithë po e presin me padurim të dielën”, tha ai. “Por ne jemi të vetëdijshëm se ende kemi një punë për të bërë dhe ajo është që të marrim një pikë. Ne jemi të ndërgjegjshëm dhe tifozët tanë janë të vetëdijshëm që ende na duhet një pikë”.
Slot, stafi dhe lojtarët u mblodhën të mërkurën për të ndjekur nga televizori ndeshjen Arsenal-Kristal Palas dhe një humbje e Arsenalit do ta kishte shpallur kampion Liverpulin. Por, ndonëse e di se fundjava ka një ngarkesë të madhe emocionale, ai thekson se nuk ëndërron për ngritjen e trofeut apo për festën e një triumfi madhështor.
“Kjo është gjëja e fundit që mendon një trajner në këtë moment. E vetmja gjë që mendoj, është nëse të gjithë lojtarët do të jenë në dispozicion. E di sa e vështirë ishte të fitonim ndaj një ekipi që ishte pranë rënies nga kategoria (Lestëri, fundjavën e kaluar). Ishte e vështirë ta mbyllnim atë ndeshje me fitore. Nuk po e humbas fare fokusin. Kemi luajtur tashmë tri herë kundër Totenhemit, e di sa e vështirë është për ne t’i mposhtim. Aty është i gjithë fokusi im”, shtoi ai në konferencë.
PANORAMASPORT.AL