Penalltia e Trent AleksanderArnoldit që vulosi fitoren e Anglisë ndaj Zvicrës pas 120 minutave është renditur ndër goditjet më të forta të “Euro 2024”. Ylli i Liverpulit goditi penalltinë e pestë për skuadrën e Garet Sauthgejtit, duke kompletuar në perfeksion pesë 11 metërshat e “tre luanëve” në çerekfinale dhe vulosur kualifikimin e tyre në gjysmëfinale.
Por tashmë zbulohet se mbrojtësi i djathtë ka vendosur edhe një rekord personal me goditjen në portën e Zomerit. Topi i ndeshjes “Fussballiebe”, zbuloi përmes çipit që ka brenda se goditja arriti një shpejtësi maksimale prej 125.6 km/h përpara se të godiste rrjetën, duke e bërë atë goditjen më të fortë penalltisë deri tani në turne. E vetmja goditje më e fortë në një aksion të rrjedhshëm në këtë Europian sesa penalltia e Arnoldit është “rrufeja” që lëshoi kapiteni i Sllovenisë Erik Janza në barazimin 1-1 me Danimarkën në ndeshjen hapëse të Grupit C, e cili arriti shpejtësinë 128.76 km/h. Vendi i tretë mbahet aktualisht nga goli i Razvan Marin në fitoren 3- 0 të Rumanisë ndaj Ukrainës me 125.15 km/h.
Golat nga Kodi Gakpo dhe Nunjo Mendesh përfundojnë pesëshen e parë, me këtë të fundit që realizoi goditjen e dytë të penalltisë kundër Francës të premten. Megjithatë, goditja e Aleksander-Arnoldit nuk ishte e vetmja nga një lojtar anglez në dhjetëshen e parë. Goli i barazimit i Bukajo Sakës në “Dyseldorf Arena” kundër Zvicrës u rendit në vendin e nëntë, duke arritur shpejtësinë 116.21 km/h.