Arrigo Saki, ish-trajneri i Milanit për katër sezone nga 1987 deri në 1991 dhe më pas, më 1997, foli për ekipin e Serxho Konseisaos, të revolucionarizuar pas merkatos së dimrit, në një intervistë ekskluzive për “La Gazzetta dello Sport”.
Si i gjykoni zgjedhjet që Konseisao ka tashmë në repartin sulmues?
Sigurisht që të kesh një numër më të gjerë zgjidhjesh është e rëndësishme për një trajner. Megjithatë, dua të them se ajo që i ka munguar Milanit deri më tani është stili. Pra, do të jetë në dorën e Konseisaos që t’i japë ekipit një stil loje. Nuk e ka të lehtë, por mendoj se ai mund t’ia dalë. Duhet të menaxhojë energjitë dhe të kesh elementë të ndryshëm mund të të ndihmojë në qarkullim. Nëse këta elementë janë të një niveli të lartë, si ata të Milanit, atëherë rrotacioni pothuajse nuk ndihet.
A mos ka shumë lojtarë ofensivë ky Milan?
Shpresoj që lojtarët të jenë zgjedhur nga trajneri, në bazë të vlerësimeve teknike dhe njerëzore. Nëse po, atëherë është bërë një hap i rëndësishëm. Milani duhet të jetë protagonist në Serie A, në Champions dhe Kupën e Italisë. Është logjike që lista është e madhe. Dhe do të ketë më shumë konkurrencë në sulm, çka mund të jetë e mirë.
Sa rrezikon Rafael Leao me kaq shumë kolegë sulmues?
Do të duhet të zgjohet. Ai nuk do të jetë më në gjendje të luajë sa herë të dojë. Qëndrueshmëria është një cilësi themelore në repertorin e një kampioni. Nëse ai nuk bën mirë, është dikush tjetër i gatshëm t’i zërë vendin. Kjo do të thotë që për Konseisaon të ketë më shumë zgjidhje nga pikëpamja taktike. Mund të luajë me dy pyka, ose me tre sulmues, ose edhe me një 4-4-2 shumë ofensiv.
Si ju duken Gimenez dhe Zhoao Feliks?
E kam ndjekur meksikanin në Holandë, por dua ta shoh atë në futbollin italian. Nuk i mungojnë cilësitë. Zhoao Feliks është një premtim i madh që nuk është realizuar deri më tani. Ai ka aftësi teknike. Te Milani, në një mjedis që e bën të ndihet i rëndësishëm, ai mund të gjejë dimensionin e tij të vërtetë.
A është sulmi i Milanit më i fortë se ai i Interit?
Dyshja Lautaro- Turam është më e mira në Itali. Sigurisht, kuqezinjtë e kanë ngritur nivelin dhe mbi të gjitha kanë zëvendësues të vlefshëm. Por, dhe unë insistoj sërish për këtë, e rëndësishme është që Konseisao t’i japë skuadrës një stil loje. Kur ka stil, është më e lehtë për të ardhurit të përshtaten. Pa stil, nuk mund të jesh protagonist.
PANORAMASPORT.AL