Arsenal, Arteta: Triumfi në Carabao Cup mund të jetë katalizator për të fituar titullin
Kupa FA në vitin 2020 mbetet trofeu i vetëm i mbretërimit gjashtëvjeçar të Mikel Arteta te Arsenal, por do të dukej e paimagjinueshme në këtë fazë që skuadra e tij të përfundonte një tjetër sezon duarbosh.
Trofeu i Carabao Cup mund të jetë i rëndësishëm, por për t’ia dalë mbanë “topçinjtë” duhet të kalojnë sot një provë të rëndësishme, gjysmëfinalen e kthimit ndaj Chelsea, që e mundën 3-2 në sfidën e parë.
Trajneri Arteta e di se fitimi i garës mund të jetë një katalizator në ambiciet e skuadrës së tij për titullin në Premier League. “Punon për të fituar shumë trofe dhe kënaqësinë që kjo sjell. Besimi zhbllokon diçka tek ty dhe pastaj dëshiron më shumë”, tha Arteta.
“Ky është një cikël që dëshiron ta përsëritësh vazhdimisht dhe ne ende duhet ta bëjmë këtë. Disa prej lojtarëve nuk e kanë bërë kurrë, kështu që është gjithmonë hera e parë. Por grupi është vërtet i bindur se kemi aftësinë ta bëjmë”, shtoi Arteta.
Më tej, trajneri spanjoll komentoi: “Jemi gjithashtu shumë të vetëdijshëm se kjo nuk është asgjë dhe duhet të punojmë çdo ditë. Kjo është e gjitha në të cilën duhet të përqendrohemi”.
“Pres që tifozët sot të jenë sikur ka qenë gjithë sezoni dhe sezonet e fundit. Kemi pasur disa momente të pabesueshme së bashku, ndaj sot duhet të shtyjmë të gjithë energjinë dhe optimizmin që mundemi, dhe pas disa javësh të jemi në Wembley së bashku“, tha Arteta.