Mangësitë në mbrojtje të Mançester Junajtidit këtë sezon janë ekspozuar në të dhënat e reja nga statistikat e “Opta”. “Djajtë e kuq” po bëjnë një sezon të përzier dhe kaotik, duke humbur 10 nga 26 ndeshjet e tyre në Premier Ligë, megjithëse renditen në vendin e gjashtë dhe mbeten në garë për kualifikimin në Ligën e Kampioneve.
Skuadra e Erik ten Hagut ka pësuar më shumë gola se çdo ekip tjetër në top gjashtëshe (36) dhe ka shënuar më pak se çdo ekip në gjysmën e parë të tabelës (36). Ata kanë e kanë ruajtur portën të paprekur në vetëm shtatë ndeshje në kampionat këtë sezon, ndërsa kanë pësuar gjithashtu 15 gola në gjashtë ndeshje të grupeve të Ligës së Kampioneve. Por në shifrat e fundit të “Opta”-s, është zbuluar se Junajtid është përballur me 16 ose më shumë goditje në një ndeshje, në 14 raste, që është më shumë se çdo ekip tjetër në Premier Ligë bashkë me Lutonin dhe Shefilld Junajtidin, dy skuadra që renditen në tre të fundit dhe që kanë pësuar respektivisht 51 dhe 66 gola.
Këto shifra konfirmojnë se skuadra e Ten Hagut ka qenë e ekspozuar në më shumë se gjysmën e ndeshjeve të tyre në kampionat. Mançester Junajtid, Lutoni dhe Shefilld Junajtid ndiqen nga Uest Hemi dhe Bërnlej në këtë klasifikim, porta e të cilave është goditur në 13 ndeshje më shumë se 16 herë. Ndërkohë që mbrojtja e Arsenalit konfirmohet si një nga më të ashprat dhe këtë sezon, djemtë e Artetës nuk kanë pësuar kurrë 16 goditje në një ndeshje të vetme. 23 golat e pësuar nga “topçinjtë” janë dy më pak sesa ata të Liverpulit (25) dhe tre sesa ata të Mançester Sitit (26). Por rivalët e tyre për titull janë përballur me një presion më të madh sa i përket rreziqeve që i janë kanosur mbrojtjeve të tyre.
Skuadra e Pep Guardiolës ka lejuar kundërshtarët të kenë 16 ose më shumë goditje në një ndeshje të kampionatit këtë sezon në dy raste, ndërsa Liverpuli e ka pësuar një numër të tillë goditjesh në katër raste, po aq sa edhe Çelsi.ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL