Pa e zhvilluar ndeshjen e fundit të sezonit, Arsenali është shpallur kampion i ri i Premier Leagues në Angli, pas 22 vjetësh pritjeje.
Barazimi i Manchester Cityt, në udhëtim te Bournemouth (1:1), i mundësoi londinezëve të festojnë para kohe titullin kampion.
Me 82 pikë pas 37 ndeshjeve dhe katër më shumë se Manchester City, “Gunners” e fitoi titullin e kampionit, të cilin së fundit e kishte fituar në vitin e largët 2004, në kohën e legjendave si Arsene Wenger trajner apo Thierry Henry, lojtari më i mirë i londinezëve.
Ky është titulli i 14-të i Arsenalit në Angli, i fituar me shumë mund nga skuadra e Mikel Artetës, që kishte konkurrencë të fortë, me ekipin e mësuesit të tij, Pep Guardiola.
City duhej të fitonte në këtë përballje dhe të shpresonte që në ndeshjen e fundit të fitonte me më shumë gola se Arsenali.
Por klubi u godit nga lajmi për largimin e Guardiolës vetëm një natë më parë, që i jep fund një periudhe të jashtëzakonshme prej dhjetë vjetësh e Guardiolës, si menaxher i Cityt.
Arsenali do të ketë një periudhë feste por edhe kohë për t’u përgatitur sa më mirë për finalen e Ligës së Kampionëve.
Më 30 maj në Budapest, në Finalen e Madhe të garës prestigjioze, Arsenali luan kundër PSG-së, në kërkim të trofeut të parë evropian në histori të klubit.