Ish-trajneri legjendar Arsène Wenger ka lavdëruar Kylian Mbappé-në për mënyrën se si ai shfrytëzoi dobësitë e Barcelonës në vijën e lartë të mbrojtjes gjatë fitores 2-1 të Real Madridit në “El Clásico”.
Duke analizuar golin e parë të francezit në “beIN Sports”, Wenger theksoi inteligjencën taktike të Mbappé-së:
“Barcelona humbi një lojtar me përvojë si Íñigo Martínez. Po ashtu, pa Lewandowski-n dhe Raphinha-n, ekipi humbi pjekurinë e zakonshme. Mbappé u tha mesfushorëve të tij: ‘Unë do të bëj vetëm lëvizje midis dy qendërmbrojtësve, më shikoni sa herë që keni topin.’”
Pikërisht kështu ndodhi. Sulmuesi francez shfrytëzoi në mënyrë perfekte hapësirat pas mbrojtjes katalanase dhe shënoi golin e tij të 12-të kundër Barcelonës në karrierë.
Edhe pse më vonë iu mohua një tjetër gol nga penalltia e pritur nga Wojciech Szczęsny, Mbappé ka shënuar 17 gola në 16 ndeshje për Real Madridin në sezonin 2025/26, një formë që e konfirmon si liderin e padiskutueshëm të “Los Blancos”.