Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, doli sot para medieve në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Olympiacos-it, që do të zhvillohet të mërkurën, në “Emirates Stadium”.
Arteta tha se nuk ka surpriza sa i përket gjendjes së lojtarëve: Piero Hincapie dhe Noni Madueke mbeten të padisponueshëm.
Ai komentoi edhe rinovimin pesëvjeçar të William Saliba-s, duke e cilësuar si “plotësisht të merituar” dhe shtoi se është i lumtur që “boshti i skuadrës mbetet te ne”.
Për kontratat e reja
Disa lojtarë të tjerë kanë zgjedhur të zgjatin qëndrimin te Arsenali. “Ata ndihen se i përkasin këtij klubi, ndihen të lidhur me të dhe ndajnë të njëjtën ambicie. Ndihen të vlerësuar këtu dhe duan ta vazhdojnë karrierën këtu, gjë që është fantastike”, u shpreh Arteta.
Ai theksoi se kjo tregon fuqinë e klubit: “Edhe kur kanë mundësi të shkojnë diku tjetër, ata duan të qëndrojnë këtu.”
Objektivat në Champions
Duke u pyetur për pritshmëritë në Ligën e Kampionëve pas arritjes në gjysmëfinale sezonin e kaluar, Arteta tha:
“Ambicia është e njëjtë, të ecim ndeshje pas ndeshjeje dhe të përpiqemi të jemi më të mirë se kundërshtari, gjë që është shumë e vështirë në këtë kompeticion. Duam të fitojmë sa më shumë ndeshje. Ndeshja e nesërme do të jetë e vështirë dhe e dimë sa e rëndësishme është forma në shtëpi për të arritur aty ku duam.”