Në botën e sotme moderne të futbollit, trajnerët paguhen me shifra të çmendura. Shumë po fitojnë shumë më tepër se lojtarët e tyre yje dhe e kanë bërë këtë gjatë gjithë karrierës së tyre. Pep Guardiola konsiderohet si trajneri lider i brezit të tij.
Trajneri i Mançester Sitit ka dominuar skenën e Premier Ligës që kur mbërriti në ishull në vitin 2016, dhe më në fund fitoi Ligën e Kampioneve për klubin sezonin e kaluar. Por, pavarësisht të gjitha vlerësimeve dhe trofeve të fituar, Pep nuk është trajneri më i pasur në botë.
Në fakt, ai mbetet kilometra pas një legjende të Mançester Junajtidit dhe ai nuk është Sër Aleks Ferguson. Në vend të 10- të renditet Arsen Venger, me 38 milionë paund. Legjenda e Arsenalit që në fund të karrierës së tij me Arsenalin (në vitin 2018) paguhej me 8 milionë paund në vit, i llogaritet pasuria 38 milionë paund.
Por, nëse ai do të kishte pranuar punë në klube të tjera, duke përfshirë Realin e Madridit dhe PSG-në, kur iu ofruan stolet gjatë 22 viteve te “topçinjtë”, llogaria e tij bankare mund të kishte shifra më të larta. I nënti në renditje është Jyrgen Klop (39 milionë paund), i cili ka drejtuar tre klube në karrierë: Maincin, Borusian e Dortmundit dhe Liverpulin.
Por sukseset më të mëdha i ka shijuar në “Anfield”, ku fitoi Ligën e Kampioneve në 2019 dhe më pas edhe Premier Ligën. Kontrata aktuale e gjermanit është rreth 15 milionë paund në vit. Por në vitin 2021 Klop fitoi 6.7 milionë paund nga kontratat e reklamave.
Me një milion paund më shumë renditet një shkallë më lart, Karlo Ançeloti. Çelsit i kushtoi 28 milionë paund fatura për të paguar Ançelotin dhe stafin e tij pas shkarkimit të italianit në vitin 2011. Te Reali thuhet se ai fiton rreth 9.5 milionë paund në vit. Në vend të shtatë renditet Sër Aleks Fergusoni me 56 milionë paund.
Menaxheri më i madh që ka parë ndonjëherë Premier Liga, e vendosi pasurinë e tij kryesisht përmes futbollit dhe dashurisë së tij për kuajt. Në vitet e tij të fundit në “Old Trafford”, skocezi zbuloi në librin e tij “Udhëheqja” se ai paguhej më shumë se çdo lojtar në skuadrën e “djajve”.
Ndërsa vitin e kaluar, u zbulua se 13 herë fituesi i Premier Ligës është ende në listën e borderosë së 20 herë kampionëve të Anglisë, duke fituar 2 milionë paund në vit. Stiven Xherrard ka një pasuri prej 71 milionë paundësh. Ai ka pasur tre punë si trajner, te Glasgou Rejnxhërs, më pas Aston Vila dhe tani Al-Etifaq.
Pikërisht në Arabinë Saudite ai po fiton një pagë rreth 15 milionë paund në vit. Por ishte gjatë një karriere të shquar si lojtar, kur Xherrard vendosi pasurinë e tij. Në sezonin e tij të fundit në “Anfield”, kapiteni thuhej se paguhej me 240 mijë paund në javë. Fituesi i “Topit të Artë”, Zinedin Zidan, është një tjetër që fitoi shumë si lojtar. Ai u kthye dy herë si trajner te Reali ku punoi nga 2016- 2018 dhe pastaj 2019-2021, duke u paguar me 10.5 milionë paund në vit.
Në top treshen e parë janë Pep Guardiola me një pasuri 100 milionë paund, ku ai paguhet te Siti me rreth 20 milionë paund në vit. Po kaq vlerësohet edhe pasuria e Zhoze Murinjos që te Roma fiton rreth 10 milionë paund në vit. Në vend të dytë renditet Diego Simeone (102 milionë paund), i cili është trajneri më i paguar në botë, me 30 milionë paund nga Atletiko e Madridit.
I pari është Uejn Runi (125 milionë paund), i cili në një pikë te Junajtid u bë lojtari më i paguar me 250 mijë paund në javë. Pasuria e tij është sigurisht falë ditëve që ka qenë futbollist, sepse në karrierën e tij si trajner nuk ka parë ende një kontratë rekord.
PANORAMASPORT.AL