Puna e Ange Postecoglou te Nottingham Foresti raportohet se tashmë është në rrezik, vetëm pak ditë para ndeshjes me Newcastlen këtë fundjavë.
Pas shkarkimit nga posti i trajnerit të Tottenhamit – edhe pse fitoi trofeun e parë të klubit pas 17 vitesh – australiani u emërua trajner i ri i Forest vetëm 24 ditë më parë, pas shkarkimit kontrovers të Nuno Espirito Santo.
Megjithatë, aventura e tij në “City Ground” ka nisur keq: në gjashtë ndeshjet e para nuk ka regjistruar asnjë fitore, me dy barazime dhe katër humbje.
Më e fundit erdhi të enjten në Ligën e Evropës, ku Forest u mposht 3-2 nga skuadra daneze FC Midtjylland.
Postecoglou madje u përball me thirrje nga tifozët e tij: “Do të shkarkohesh në mëngjes”, ndërkohë që presioni mbi 60-vjeçarin po rritet.
Pronari i klubit, Evangelos Marinakis, më parë ka shkarkuar një trajner edhe në një periudhë më të shkurtër, dhe sipas “The Times”, përballja me Neëcastle është vendimtare për të ardhmen e tij.
Raportohet se ai do të jetë në stol në “St James’ Park”, por “një performancë dhe rezultat negativ mund të çojë në rishikimin e pozicionit të tij gjatë pushimit ndërkombëtar”.
Aktualisht, Forest ndodhet në vendin e 17-të në Premierligë dhe është eliminuar nga Carabao Cup nga Swansea City, një skuadër e Championshipit.
Në intervistën pas ndeshjes për “TNT Sports” të enjten, Postecoglou reagoi ndaj thirrjeve të tifozëve, duke thënë se ata “kanë të drejtë për mendimin e tyre”.
Megjithatë, ai mbetet i bindur se skuadra po bën progres dhe atmosfera së shpejti do të ndryshojë.
Pranohet se kalimi në një stil më sulmues – krahasuar me qasjen mbrojtëse të Espirito Santo – kërkon kohë, por rezultatet duhet të vijnë menjëherë.
“E kuptoj që atmosfera nuk është e mirë dhe qëndrimi i njerëzve, sidomos ndaj meje, nuk është pozitiv. Por nuk shqetësohem për këtë. Kam kaluar edhe më parë situata të ngjashme. Besoj vërtet se jemi në rrugën e duhur dhe kur të kalojmë këtë periudhë pasigurie, do të jemi në një shteg të mirë,” tha ai në konferencë.
Ai shtoi se përtej kritikave ndaj tij personalisht, tifozët ende po mbështesin skuadrën, gjë që e konsideron më të rëndësishme: “Nëse fillojmë të fitojmë, atmosfera do të ndryshojë.”
Pas vizitës te Newcastle, Forest do të përballet me Chelsean në kampionat, më pas me Porton në Ligën e Evropës dhe do të ketë një transfertë të vështirë ndaj Bournemouth.